Dukagjini i Klinës e ka fituar trofeun e Kupës së Kosovës në futboll për herë të parë në histori të klubit.
Trofeun e parë të Kupës, Dukagjini i Klinës e fitoi në tentimin e katërt.
Skuadra klinase, triumfoi 2:1 ndaj Ferizajt në finalen që u zhvillua të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por, mbeti nën hijen e incidentit që ndodhi në fund të ndeshjes, kur Ferizaj u tërhoq nga fusha pas pakënaqësive, për t’u kthyer pas afro dhjetë minutash.
Sfida ishte shumë e hapur dhe pati supergola të realizuar.
Altin Mërlaku shënoi me gjuajtje shumë të fuqishme për Dukagjinin në minutën e 16-të duke e mposhtur portierin McKenzie-Lyle.
Me gol të bukur u kundërpërgjigj edhe Ferizaj. Pas aksionit mirë të organizuar, Kushtrim Shabani realizoi për 1:1 me gjuajtje të saktë nga zona, në minutën e 23-të. Goli u pranua nga gjyqtari Genc Nuza, pas konfirmimit të VAR-it.
Në minutën e 30-të, Hekuran Berisha i Dukagjinit tentoi të realizonte pas vrapimit të gjatë që bëri.
Sulmuesi i talentuar u fut në zonë dhe qëlloi shtyllën pingule pas gjuajtjes së saktë me të majtën nga zona.
Pesë minuta pa u mbyllur pjesa e parë, Ferizaj kërkoi penallti pasi pretendoi se Betim Haxhimusa u ndal në mënyrë të palejuar nga portieri i Dukagjinit, Egzon Lekaj. Gjyqtari Nuza e pa situatën në VAR dhe e vlerësoi se ndërhyrja e Lekajt nuk ishte për penallti.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Në minutën e 63-të, Dukagjini mendoi se fitoi penallti kur gjyqtari Genc Nuza pa ndërhyrje të parregullt në zonë. Por, VAR-i ndërhyri sërish dhe gjyqtari Nuza e ktheu vendimin duke dhënë vetëm goditje dënimi.
Dy minuta më vonë pati tensione në fushë mes futbollistëve të Ferizajt dhe Dukagjinit.
Ndërkohë, në minutën e 70-të, Dukagjini mbeti me një futbollist më pak. Mesfushori Erlis Xhemajli u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja pas ndërhyrjes në mesin e fushës ndaj Alban Shabanit.
Kur pritej që Ferizaj të reagojë e ta shënojë golin e epërsisë pas epërsisë numerike të lojtarëve, në skenë u shfaq sulmuesi Berisha i Dukagjinit.
20-vjeçari në minutën e 75-të gjuajti me saktësi nga gjysma e fushës dhe e mposhti portierin McKenzie, që kishte dalë shumë larg portës.
Ferizaj tentoi ta barazonte rezultatin e ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, por nuk e pati forcën. Madje kërkoi penallti në minutën e 93-të për prekje me dorë të mbrojtësit Albion Pllana në zonë.
Gjyqtari Genc Nuza nuk dha penallti dhe kjo irritoi ferizajasit. Kapiteni Betim Haxhimusa për shkak të protestave të shumta u përjashtua nga loja, ndërsa më pas trajneri Arsim Abazi e tërhoqi ekipin nga fusha dhe lojtarët u futën në zhveshtore.
Pas afro 10 minutash vonesë, skuadra ferizajase u kthye në fushë. Por, nuk pati më kohë për ndryshim rezultati, ndonëse Ferizaj pati disa gjysmëraste.
Për trajnerin e Dukagjinit, Arsim Thaqi, është një tjetër trofe i Kupës së Kosovës i fituar. Me Prishtinën e fitoi Kupën e Kosovës në edicionin e kaluar, ndërsa e drejtoi skuadrën e kaltër edhe në këtë edicion.
Më pas kaloi u largua nga Prishtina dhe e mori udhëheqjen e Dukagjinit, me të cilën do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Dukagjini ishte mposhtur në finale nga Prishtina dhe Flamurtari në vitet 1995 dhe 1996, dhe nga Llapi në vitin 2021, në tri finalet e kaluara. Dy herë rresht në finale të Kupës së Kosovës është mposhtur edhe Ferizaj. Ferizaj kishte humbur nga Trepça ’89 në vitin 2012 dhe nga Prishtina në vitin 2013.








