Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar që Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, e po ashtu edhe Moldavisë t’u përshpejtohet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përmes zgjidhjeve të reja që do t’i afronin më shpejt me institucionet dhe tregun e përbashkët evropian.
Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian António Costa, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Qipros Nikos Christodoulides, të cilë ne ka parë portal European Western Balkans (EWB), Merz ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri gjeopolitike, por se procesi aktual po zgjat “shumë tepër”.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë i vendosur në premtimin se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund të bëhen pjesë e unionit.
“Propozoj që të shqyrtojmë zgjidhje inovative edhe për ato vende kandidate që janë duke u përgatitur për anëtarësim tash e një kohë të gjatë dhe që t’ua përshpejtojmë procesin e anëtarësimit”, ka shkruar Merz, raproton EWB.
Ai ka propozuar që këto vende të kenë qasje të privilegjuar në Tregun e Përbashkët Evropian dhe lidhje më të afërta me institucionet e BE-së në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.
Sipas kancelarit gjerman, integrimi gradual mund të realizohet përmes krijimit të blloqeve të bashkëpunimit në fusha të caktuara politike, të cilat më pas do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të politikave të BE-së dhe legjislacionit evropian.
Merz ka shtuar se kjo qasje do t’i afronte ndjeshëm vendet kandidate me Bashkimin Evropian dhe do të nxiste reforma të reja drejt anëtarësimit të plotë.
Nga të gjitha shtetet e Ballkanit, Kosova ndodhet më së largu në rrugëtimin e saj për t’u bërë pjesë e Unionit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pati dorëzuar aplikimin për anëtarësim, qysh më 2022, por kërkesa nuk ka marrë ndonjë përgjigje ende.
Shqipëria dhe Mali i Zi qëndrojnë më së miri në këtë rrugë, para shteteve tjera sikur janë Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova
Në pjesën tjetër të letrës, kancelari gjerman është ndalur edhe te Ukraina, për të cilën ka propozuar një model të “anëtarësimit të asociuar” në Bashkimin Evropian si hap i ndërmjetëm drejt anëtarësimit të plotë.
Sipas tij, Ukraina duhet të bëhet anëtare e plotë e BE-së, por procesi i anëtarësimit nuk pritet të përfundojë së shpejti.
“Megjithatë, nuk kemi kohë për vonesa të tjera. Tani është koha të ecim përpara me integrimin evropian të Ukrainës përmes zgjidhjeve inovative”, ka shkruar Merz.
Ai ka sqaruar se statusi i “anëtarit të asociuar” mund t’i mundësojë Ukrainës pjesëmarrje në institucionet e BE-së pa të drejtë vote, zbatim gradual të legjislacionit evropian dhe garanci më të forta sigurie nga shtetet anëtare.
Letra e Merz vjen në kohën kur në Bashkimin Evropian po zhvillohen diskutime të reja për zgjerimin, ndërsa javën e kaluar pesë shtete anëtare kanë propozuar qasje graduale të vendeve kandidate në tregun e përbashkët evropian si mënyrë për të ruajtur momentumin e zgjerimit.






