Qeveria e Kosovës ka shpalosur pakon qeveritare kundër mbeturinave, për të cilin kanë deklaruar se janë ndarë 1 milion euro.
Përmes kësaj në prezantimin e kësaj pako nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detryrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u tha se synohet largimi i rreth 500 deponive ilegale të mbeturinave.
Kurti tha se situata me mbeturinat është bërë serioze, duke kritikuar qasjen e nivelit qendror dhe ati lokal deri më tani.
“Situata me mbeturina është bërë serioze. Kemi një emergjencë në sektorin e mbetjeve dhe për ta adresuar atë duhet masa emergjente. Po e shpallim një paketë të emergjencës kundër mbeturinave”, ka thënë ai, raporton teve1.info
Ministrja në detyrë, Pacolli bëri të ditur se programi shtetëror për largimin e mbeturinave përfshin pastrimin e hapësirave jashtë vendbanimeve, shtimin e kapaciteteve inspektuese dhe zbatimin e sistemit të gjobitjes dhe pagesës së shpenzimeve për ndotësit.
Ajo paralajmëroi edhe gjoba ndaj komunave nëse nuk pastrojnë zonat urbane nga mbeturinat.
“Ky program bazohet në këto shtylla; pastrimin e hapësirave jashtë kufijve të vendbanimeve, shtimin e kapaciteteve inspektuese dhe vendosja pa asnjë kompromis e sistemit të gjobitjes dhe pagesës së shpenzimeve në kuadër të parimit të prerë. Kam nxjerrë vendimin për themelimin e grupit operativ për emergjencën e mbeturinave që është shtylla themelore e këtij programi. Nga sot po fillojmë me patrullime të shtuara dhe rritje të menjëhershme të inspektorëve në terren. Po ua bëjmë të qartë se në rast se zonat urbane nuk pastrohen, ne do t’i marrim masat më të ashpra ligjore edhe ndaj vetë institucioneve, përfshirë komunat. Në rast se komunat nuk performojnë në përputhje me standardet e vendosura, do të përdoret shkopi, ndëshkimi i rreptë financiar ndaj tyre”, tha Pacolli në konferncën për media.







