Mobiliet në banesë i ndërruan më të rejat.
E të vjetrat, u hodhën pranë kontejnerëve të zakonshëm të mbeturinave.
Është kjo pamja që edhe të martën u pa në rrugën “AFRIM LOXHA” në kryeqytet.
E gjendje e njëjtë, ishte edhe në “Rrugën B”
Edhe këtu, mbeturinat vëllimore vazhdojnë ta zënë vendin e atyre ditore.
“Gjendja është shumë e tmerrshme. S’po kena kena as ku me dal me karroca me fëmijë, po ka edhe qenë endacak kështu që s’kemi kurrgjë në rregull. Edhe ndërtesën ku e kemi era shumë e ndotur është”, ka thënë Mujaj.
Por, nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” thonë se është duke vazhduar aksioni, për mbledhjen e këtij lloji të mbeturinave.
Madje mbeturina inerte, sipas tyre, janë identifikuar në plot 72 lokacione në Prishtinë.
“Aksioni për largimin e mbeturinave vëllimore, i nisur të shtunën, është duke vazhduar në lagje të ndryshme të Kryeqytetit. Ekipet në terren janë të angazhuara në trajtimin e 72 lokacioneve të identifikuara me mbeturina vëllimore, me qëllim përmirësimin e gjendjes në terren dhe lirimin e hapësirave publike për qytetarët. Ky angazhim do të vazhdojë deri në trajtimin e plotë të pikave problematike”, u shpreh Fazliu.
Por, problemi me mbeturinat në Prishtinë, nuk përfundon me kaq.
Banorët në rrugën “Antigona Fazliu”, po ankohen për mungesë të kontejnerëve.
Kjo ka bërë që mbeturinat të hidhen në këtë mënyrë.
“Kjo nuk po më doket e arsyshme kërkun bot nuk është kështu, nuk i hudhin ku duhet edhe shkepën këto krejt rrugës borllogjet. Me ec komuna përpara e me ec si duhet këto nuk i qesin. Secili duhett me pas konten e vetë, ku me i qit”, theksoj një qytetar.
“Keq është shumë, shumë keq… Mundet me shkaktu sëmundje. Tu lifar sëmundje mundet me shkaktu”, u shpreh edhe nje qytetar tjetër.
Ndryshe, të hënën auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, përmes një konference për media, ka fajësuar Komunën e Prishtinës, duke thënë se nuk ka arritur të jetë efikase në grumbullimin e mbeturinave gjatë viteve të fundit.






