Profesori, Fatmir Çollaku e ka cilësuar si ambicie të ekzagjeruar synimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, për të fituar 60 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Duke folur në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Çollaku ka thënë se një pretendim i tillë është i lejueshëm në kuadër të fushatës zgjedhore, por sipas tij mbetet vështirë i arritshëm në praktikë.
“Është një ambicie pak e ekzagjeruar, por fushata politike zgjedhore ua lejon liderëve të pretendojnë më shumë, ndërsa sa do të realizohet kjo mbetet çështje tjetër. Unë mendoj se është një synim megaloman dhe 60 përqindshi është kafshatë e madhe. Sido që të jetë, nëse Lëvizja Vetëvendosje i merr 60 për qind, i gëzoftë dhe ua urojmë që nga ky moment fitoren me atë përqindje”, ka deklaruar Çollaku.
Sipas tij, objektivi për të fituar 60 për qind mund të konsiderohet si një synim i shëndoshë elektoral për një parti gjatë fushatës, por realizimi i tij mbetet për t’u parë në ditën e zgjedhjeve.
“Unë po i përcjell zhvillimet çdo ditë dhe po shoh se ka ndryshime të mëdha. Prandaj, pretendimi për të fituar 60 për qind është objektiv i shëndoshë i një partie në fushatë zgjedhore, por sa do të arrihet mbetet të shihet. Megjithatë, unë nuk besoj se kjo përqindje mund të arrihet lehtë”, ka përfunduar ai./teve1.info/







