Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e të lënduarve nga vetaksidenti i rëndë që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Dollc të Klinës, ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë u lënduan.
Nga ky spital është konfirmuar se të lënduarit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ndërkohë, është bërë e ditur se njëri prej tyre është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një tjetër vazhdon trajtimin në Pejë, ndërsa dy persona janë liruar në shtëpi në gjendje stabile.
Spitali gjithashtu ka bërë të ditur se personi që humbi jetën nuk është dërguar në këtë institucion shëndetësor.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:55, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor.
Policia bëri të ditur se viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor.







