Në varrimin e Haxhiut në fshatin Lupç të poshtëm në Prishtinë, morën pjesë qytetarë të shumtë, veprimtarë të LPK-së dhe UÇK-së.
Për jetën dhe veprën e tij foli kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti, i cili vlerëso lart kontributin e kësaj familje dhe të vet Ismail Haxhiut.
Kurse, veprimtari Emrush Xhemajli i cili tha se Ismaili Haxhiu lindi me 8 janar të vitit 1955 në Prishtinë.
Xhemajli tha se Pas shkollës fillore e kryen Shkollën e Mesme Teknike dhe pastaj punoi automekanik në punishten e babait të tij Ahmetit.
“Por ajo nuk ishte vetëm punishte e thjeshtë. Ajo ishte një bazë e sigurtë, dhe ndër më të rëndësishmet e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe më vonë e ushtrive çlirimtare ku zhvilloheshin aktivitete politike e ushtarake. Mbaheshin mbledhje të rëndësishme ku merrnin pjesë që nga Adem Demaçi e deri te heronjtë Fadil Vata, Afrim Zhitia e Arif Seferi. Dhjetëra ilegalë të shumtë qëndruan në këtë bazë me ditë e shpesh me muaj të tërë. Gjithashtu, ajo ishte dhe një vend ku shtypeshin trakte, buletine e materiale tjera kundër pushtuesve; ishte një nga qendrat e organizimit, depo e grumbullimit dhe shpërndarjes së armatimit e municionit të Lëvizjes Populloret ë Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si i ri Ismaili kreu detyra në luftën klandestine kundër Serbisë duke qenë, krahas vëllezërve dhe motrave, krah i fort i atdhetarit Ahmet Haxhiu, të cilin e kishin edhe baba edhe udhërrëfyes në rrugën e çlirimit të vendit. Ismaili në mënyrë perfekte, gjakftohtë e në fshehtësi përcillte situatën e sigurisë, shoqëronte ilegalë, barte armatime, municione dhe kryente detyra ndërlidhëse. Pas vdekjes së Bacës Ahmet më 1994 Ismaili me vëllezër shtoi kujdesin për bazën, depon e fshehtë të armatimit. Në saje të sakrificës së gjithë anëtarëve të familjes Haxhiu, por edhe ruajtjes së fshehtësisë së shokëve të LPK-së dhe UÇK-së që e frekuentuan dhe dinin për bazën, ajo kurrë nuk u zbulua nga armiku. Në gjysmën e dytë të vitit 1998 me kërkesën dhe bashkë me, tani heroit, Xhavit Haziri, që ishte lidhja kryesore e luftës për Ismailin dhe Shaipin, në kushte të orës policore në Prishtinë, bartin armatim dhe municion nga depoja, rruga “Jakovë Xoxa”, tani Rruga “Ahmet Haxhiu” në shtëpinë ku banonte Xhavit Haziri dhe nga andej do të përcillej në zonën e luftimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkë me Xhavit Hazirin ata qëndronin në Prishtinë për ndërlidhje dhe përgatitje të luftimeve në kryeqytet”, tha ai.
Pas rrëmbimit të Xhavit Hazirit nga forcat serbe Shaipi, sipas tij, Ismaili dhe të tjerë që punonin sipas udhëzimeve të Xhavitit u vunë në vështirësi veprimi në kryeqytet.
“Në mars të vitit 1999 Ismail Haxhiu bashkë me vëllain Shaipin, Abdullah Sveclën (Dulin), dhe të tjerë të armatosur shkuan në Zonën Operative të Llapit, në Zllash. Kjo njësi lëviz në fshatrat Makoc, Marec, Grashticë dhe përsëri në Makoc. Pas luftës Ismaili vazhdoi të veproi në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në cilësinë e anëtarit të Kryesisë ai u dha kontribut në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegj e Bujanoc, si dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Në vitin 2000-2001 Ismaili dha kontribut të veçantë në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtarë, sektorin e logjistikes të cilin e drejtonte Shefit Xhaferi. Ismaili modifikoi kamionët e transportit të armatimit duke i bërë të përshtatshëm për bartje pa u hetuar të armëve dhe municionit për vijat e para të luftimit. Ismail Haxhiu e donte shumë dhe respektonte Adem Demaçin dhe shume here ishte ne shërbim te tij, jo vetëm pse ishte në lidhje familjare, kushëri I tij, por në radhë të parë për atë që Adem Demaçi përfaqësonte – rezistencën dhe konceptin çlirimtar të luftës së drejt të popullit shqiptar për bashkim kombëtar përmes vetëvendosjes”, tha Xhemajli.
Për shkak të vështirësive shëndetësore dhe ekonomike në vitin 2003 Ismail Haxhiu u detyrua të shkoi në SHBA. Viteve të fundit shëndeti i qe rrënuar edhe më tepër dhe më 22 qershor u nda nga jeta./kp/