Visar Xani, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se afrimi mes këtij subjekti politik dhe Vjosa Osmani është një zhvillim i natyrshëm politik.
Sipas Xanit, bashkimi i figurave që kanë vepruar dhe janë rritur politikisht brenda të njëjtit subjekt nuk duhet të shihet si i pazakontë.
Ai tha se reagimet ndaj këtij afrimi tregojnë se disa parti po ndihen të shqetësuara politikisht.
Xani kritikoi kundërshtarët politikë duke thënë se fokusi i tyre është zhvendosur te raportet mes LDK-së dhe Osmanit, ndërsa, sipas tij, po lihet anash debati për qeverisjen e Albin Kurtit.
“Në një projekt politik, bashkimi i njerëzve që kanë dhe janë rrit dhe kanë funksionuar në një subjekt politik, nuk e di se si mundet mos me qenë i natyrshëm. Për fatkeqësinë e disave bashkimi i LDK-së dhe Vjosa Osmanit është duke i frikësuar. Krejt po merren LDK-në dhe Vjosa Osmanin e kanë harruar Albin Kurtin”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai foli edhe për siç i quajti, standarde të dyfishta në politikë, duke përmendur reagimet e ndryshme ndaj bashkëpunimeve politike në skenën kosovare. Sipas tij, të njëjtët persona që kritikojnë afrimin LDK–Osmani, më herët kanë kritikuar edhe mosbashkëpunimin mes subjekteve të tjera opozitare.
“Edhe partitë e tjera, jo vetëm PSD-ja – janë duke u marrë me LDK-në. Ka persona të njëjtë që deri dje kanë thënë se si u bënë bashkë Vjosa Osmani me Lumir Abdixhikun, e të njëjtit kanë kritikuar se pse s’u bënë bashkë Fatmir Limaj dhe PDK-ja. Si mundet me pas standarde të njëjta dhe qëndrime të dyfishta”, deklaroi ai.







