Mesnata e së martës, ishte afati i fundit për dorëzimin e listave me emra të kandidatëve për deputetë.
Këta të fundit, do të garojnë për një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
E partia fituese e zgjedhjeve të fundit, nuk la vend për befasi.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, 10shja e parë e partisë është e njëjtë.
Ndryshimet në këtë subjekt politik fillojnë në 10-shën e dytë.
Ish-gazetari dhe vëallai i Ilir Konushevcit, Artoni, e mori numrin 15, i cili me parë i takonte Zef Morinës.
Ky i fundit u rendit 9 vende me poshtë, ku dikur ishte Hysen Durmishi, i cili me 7 qershor nuk do t’i hyjë garës zgjedhore.
E të njëjtë në listën e partisë së dytë më të madhe në vend, janë tri vendet e para.
Edhe këtë herë, bartës i listës dhe kandidat për kryeministër, është kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Ai përcillet nga Uran Ismaili me numër 2 dhe Vlora Citakun me numrin 3.
Ndryshimi vjen tek numri katër, që dikur e mbante Enver Hoxhaj, i cili në këto zgjedhje e përmbyll 10-shën e parë.
Ndërsa vendin e tij, e zuri Përparim Gruda.
I riu në PDK, Arian Tahiri, u rendit i pesti, kurse numri i 6 dhe 7 mbetën të pandryshuar me Besa Kabashi Ramaj dhe Rrahman Rama.
Një vend në top 10-she, këtë herë nuk pati për Eman Rrahmanin, pasi vendin e tij e zuri Arben Mustafa.
Kurse e 9-ta, është Sala Jashari nga Prekazi.
E zhurma më e madhe këtë herë, ishte rreth 10 pozitave të para në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndryshimet këtu fillojnë qysh në numrin e parë, të cilin e mori kandidatja për presidente, Vjosa Osmani.
Këtë pozitë asaj ia liroi, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili vetën e renditi në numrin 2.
Kjo bëri që një numër më poshtë, të binte edhe Kujtim Shala.
Befasia erdhi kur në top 10-she, nuk u panë emrat më të njohur të LDK-së.
Hykmete Bajrami, nga pozita e 3-të u zhvendos në atë të 12-tën.
Ndërsa ish-kryeministri, Avdullah Hoti, doli i 11-ti në listë.
Lista e LDK-së, vijon me Doarsa Kica Xhelilin, Lutfi Hazirin dhe Jehona Lushaku Sadriun.
E në top 10-shën e partisë më të vjetër, Vjosa Osmani arriti t’i merrte edhe dy pozita të tjera.
Albena Reshitaj e Jeta Statovci, morën numrat 7 dhe 9.
Kurese 10-shi i LDK-së, mbeti serish Anton Quni.
Befasi kishte edhe në listën zgjedhore të AAK-së.
Për herë të parë, bartës i kësaj liste nuk do të jetë ish-kryetari Ramush Haradinaj, i cili këtë herë vetën e vendosi në numrin 11.
Ndërsa si bartës i listës dhe kandidat për kryeministër, iu besua Ardian Gjinit.
Lista e AAK-së vijon njëjtë me pesë kandidatët e radhës, duke filluar me Besnik Tahirin, Time Kadriaj, Bekë Berisha, Arbër Tolaj e Albana Bytyqi.
Numri 7-të që dikur ishte Pal Lekaj, tash është zëvendësuar me Burim Ramadanin.
Edhe 8shi i AAK-së më nuk është Gani Dreshaj por Avni Arifi.
Ndërsa 9-shi dhe 10-shi nuk ka ndryshuar, këto i kanë Diellza Kukaj dhe Agim Çeku.
Ndryshe, listat e partive politike përbëhën nga 110 kandidatë për deputetë të cilët do të garojnë për mandatin e deputetit me 7 qershor.







