Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Lutfi Menxhiqi dhe Skender Xhema, hetues në Drejtorinë për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë dhe kryeinspektori i Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC), në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arben Mustafa
Sipas aktgjykimit të siguruar, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, në kolegjin penal të përbërë nga gjyqtarët Kadrije Goga Lubishtani, kryetare e kolegjit, si dhe Valbona Musliu Selimaj dhe Mentor Hajraj, ka marrë vendim që të lërë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.
“Në emër të popullit”, në aktgjykim thuhet se “refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, me numër 2021:229664 i datës 25.02.2025, vërtetohet”.
Sipas dokumentit, Arben Mustafa akuzohej për veprën penale “Ushtrim i ndikimit në vazhdim”, nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së.
Ndërkaq, Lutfi Menxhiqi akuzohej për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 i KPRK-së dhe “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 1 i KPRK-së.
Po ashtu, Skender Xhema akuzohej për veprën penale “Ushtrim i ndikimit në vazhdim”.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Gjykata Themelore në Ferizaj, me aktgjykimin e datës 25 shkurt 2025, i kishte liruar të akuzuarit pasi “nuk është provuar se kanë kryer veprat penale”.








