Kujtimet për babanë i ka ende të freskëta.
Ndonëse 27 vite më parë ishte vetëm katër vjeç, Vigjilent Gjokaj, asnjëherë nuk i harron takimet me babanë e tij Tom Gjokaj, që ra më 7 maj të vitit 1999 në betejën e Çabratit në Gjakovë.
“Është një ndjenjë që nuk ka çmim që e pagunë, jam shumë krenar për të. E kujtoj atë kohën kur vijke e shkoje me uniformë, e ja merresha edhe kapelën, mu doke shumë interesante kur e shihesha me armë dhe e pyetsha, babi çka është kjo armë, ai me thojke babi kjo armë ka me na sjellë lirinë”, tha djali i dëshmorit Tom Gjokaj, Vigjilenti.
Në përvjetorin e rënies së të atit dhe dëshmorëve të tjerë në Çabrat, Gjokaj thotë se ndjen vetëm krenari.
“Unë jam shumë krenar për babin tim, i cili derdhi gjakun dha jetën për lirin e Kosovës dhe jam krenar për të gjithë dëshmorët të cilët e dhanë më të shtrenjtën e tyre për ne”, tha ai.
Në luftë me forcat serbe në Betejën e Çabratit, ra edhe Sabedin Shehu, trupi i së cilit është ende i pagjetur.
“Unë kam qenë i ri në moshën tetë vjeçare, axha ka ardhur nga kurbeti nga Gjermani, ku ka lënë jetën atje, familjen, edhe sot që po flasim pas 27 viteve ende nuk e dimë trupin e Sadedini”, tha nipi.
Familja Shehu, çdo ditë zgjohen me shpresën se do të marrin ndonjë informacion për familjarin e tyre.
“Normalisht është dhimbje e madhe por gjithmonë rrimë me shpresë që ditë edhe na do ta kemi trupin që ta nderojmë të varrosur”, tha nipi i dëshmorit Sadebin Shehu, Arbëri.
E përballë forcave serbe, si ushtar i UÇK-së, ishte edhe Edomod Shijaku.
“Ka qenë e rëndësishme se është dashtë me tregu dikujt që ne ekzistojmë, ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Aspak nuk qenë e vështirë se e kemi ditë ja vdekje ja liri”, tha ish-ushtari.
Në betejën e Çabratit ranë dëshmorë 22 ushtarë të UÇK-së, mbetën të vrarë rreth 50 civilë, dhe 50 njerëz të tjerë u rrëmbyen, të cilët që nga ajo ditë u zhdukën pa gjurmë.



