Punën e nisën në ora 8:00 të mëngjesit.
Por, dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, të mërkurën nuk e përfunduan orarin e plotë.
Kjo meqë Policia e Kosovës zbarkoi në orët e paradites në këtë agjenci.
E nga këtu, dy zyrtarët kadastral u nxorën me pranga në duar.
E gjitha kjo pjesë e një aksioni të Prokurorisë Themelore të Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, dy zyrtarët kadastral kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966.
Ndërsa u bë edhe e ditur se nuk vepruan të vetëm.
“Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. I dyshuari A.B. në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke krijuar dosje fiktive dhe duke mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar, me qëllim të përfimit të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë. Ndërkohë, të dyshuarit B.Sh., dhe M.B., në cilësinë e personave zyrtar ne Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë aprovuar ankesën e palës, përkatësisht të pandehurit N.K., duke obliguar komunën e Prishtinës që të regjistrojë pronën në emër të tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Aksionin e ka mirëpritur ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli.
“Për një kohë të gjatë ka pasur dyshime serioze për abuzime, deri në elemente të krimit të organizuar, në tjetërsimin e pronave publike. Mijëra hektarë janë kaluar përmes procedurave të dyshimta, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh kanë dështuar t’i parandalojnë, madje në raste të caktuara dyshohet se edhe kanë kontribuar në këtë fenomen”, ka thënë Pacolli.
Ndërkohë në orët e pasdites, u bë e ditur se të gjithë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.






