Profesori, Fatmir Çollaku ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje do të dalë sërish forca e parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen më 7 qershor.
Megjithatë, sipas tij, LVV-ja do të pësojë një rënie prej rreth 10 për qind krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të 28 dhjetorit.
Çollaku ka theksuar se rezultati i kaluar i kësaj partie ishte ndikuar edhe nga votat e zhgënjimit ndaj partive të tjera.
“Unë besoj se të gjitha partitë politike e kanë të qartë se vendin e parë do ta ketë sërish Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa lufta do të zhvillohet për vendin e dytë. Megjithatë, shoh një tkurrje të LVV-së rreth 10% në raport me zgjedhjet e kaluara, pasi një pjesë e mbështetjes ka ardhur si pasojë e pakënaqësive ndaj qeverisjeve të mëhershme”, është shprehur ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Sa i përket fushatës zgjedhore, Collaku pret një garë të ashpër dhe me rritje të tensioneve politike.
“Pres një fushatë të ashpër, me doza agresiviteti në raport me kundërshtarët politikë. Gjithashtu, figura publike që nuk kanë qenë të përfshira më parë mund të hyjnë në politikë, dhe kjo do të ishte një mundësi e mirë për freskimin e skenës politike, pasi figurat aktuale janë në një masë të konsiderueshme të konsumuara”, ka deklaruar Collaku.
Ndryshe, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.
Këto do të jenë zgjedhjet e tretat brenda rreth një viti e gjysmë dhe pritet ta thellojnë krizën politike dhe institucionale.
Vendimi i Haxhiut të enjten (30 prill) erdhi pak pas mbajtjes së një takimi me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës së kaluar për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Shpërndarja e Kuvendit të martën ( 28 prill) nënkuptoi se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme dhe 7 qershori ishte data e fundit e mundshme./teve1.info/







