Në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian (EPC), kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden.
Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Luksemburgu i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke veçuar kontributin në sektorin e shëndetësisë dhe në fusha të tjera.
Ai ka falënderuar gjithashtu mbështetjen e fundit financiare në vlerë prej 50 milionë eurosh, e cila sipas tij dëshmon përkushtimin e Luksemburgut në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Kurti ka theksuar rëndësinë e avancimit në këtë drejtim, përfshirë kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Në përmbyllje të takimit, Kurti ka riafirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Luksemburgun dhe koordinimin në forumet ndërkombëtare me interes të përbashkët, duke falënderuar edhe një herë përkrahjen e vazhdueshme të këtij shteti mik.
“Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në raport me integrimin evropian. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejmë në këtë proces, përfshirë kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatë.




