Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po synojnë të veprojnë me një qasje të përbashkët.
Përmes këtij koordinimi, pritet të krijohen paketa të përbashkëta turistike për rajonin.
Për tëvë1 kryetari i unionit të turizmit të Kosoves Baki Hoti, ka treguar për gjitha marrëveshjet që janë bërë së fundmi në këtë aspekt.
“Këtë vit Unioni i Turizmit të Kosovës ka nënshkruar tri memorandume bashkëpunimi gjatë këtij viti, pra gjatë katër muajsh. Qysh në janar, më 20 janar të vitit 2026, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit me Institutin Amerikan AHLEI, i cili është një ndër institutet më të mëdha të turizmit në botë, me selinë në Çikago, por operon në 100 shtete botërore. Qëllimi i këtij memorandumi ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve në industrinë e shërbimeve, kryesisht në sektorin e hotelerisë, agjencioneve turistike por edhe tek pjesa e gastronomisë”, thotë Hoti.
Sipas tij, bashkëpunimi rajonal është një hap i rëndësishëm për tregun turistik.
“Memorandumi i parë ishte në mes katër shteteve, në mes të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ku si nënshkrues të marrëveshjes ishin edhe tre kryetarë të komunave: kryetari i komunës së Prishtinës, zoti Rama, kryetari i komunës së Ulqinit dhe kryetari i komunës së Strugës. Dhe kjo marrëveshje ka të bëjë kryesisht me koordinimin dhe me bashkëpunimin në vazhdimësi sa i përket hartimit ose krijimit të kushteve për tur-operatorët që të krijojnë paketa të përbashkëta, sidomos në vendet bashkëshqiptare”, tha ai.
Hoti shton se këto iniciativa janë të para për Kosovën.
“Marrëveshja e cila u bë në janar me Institutin Amerikan është hera e parë që po ndodh që ka ardhë një institut amerikan në Kosovë. Marrëveshja në mes katër shteteve është marrëveshja e parë e cila ka ndodhë në Kosovë dhe është shumë mirë që na u kanë bashkangjitë edhe kryetarët e komunave me qëllim që të kemi një koordinim sa më të mirë dhe të krijojmë produkte sa më të mira të përbashkëta në kuadër të kësaj, qoftë me Shqipërinë, qoftë me Maqedoninë, Malin e Zi ku përfshihet edhe Kosova si destinacion turistik. Dhe njëkohësisht edhe Instituti ‘Stirling’ është hera e parë që po vjen në Kosovë”.
Gjithashtu Unioni i turizmit te Kosovës ka arritur marrëveshje bashkëpunimi edhe me projektin Agjencisë Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim.






