E enjta përfundoi me fatalitet për një 53-vjeçar në Meqë të Gjakovës.
Ishte duke punuar në këtë hapësirë, derisa kamioni që po drejtohej nga një punëtor tjetër u rrokullis, dhe e shtypi atë.
53-vjeçari ishte afër mjetit dhe mbeti i bllokuar poshtë tij.
Për rastin, pronari i shtëpisë u njoftua nga Policia e Kosovës.
Ai nuk pranoi të deklarohet para kamerës, por shkurt tha se lëndimet e punëtorit ishin në kokë.
Me rastin, të enjten është marrë edhe Prokuroria e Gjakovës.
Nga ky institucion treguan se shoferi është dërguar në mbajtje.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, tha Drin Domi-zëdhënës në Prokurorinë e Gjakovës.
Detaje për vdekjen e punëtorit në punë kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.
“Sot, rreth orës 09:55, kemi pranuar informatën për një incident në fshatin Meqë. Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore) i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të. Në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë relevante të Policisë, ekipi i zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë.
Pas intervenimit, mjeku përgjegjës ka konstatuar se personi i zënë nën mjet ka ndërruar jetë”, tha Vlera Krasniqi-zëdhënëse e policisë.
Nga janari, sipas të dhënave të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, 11 persona kanë humbur jetën në vendin e punës.






