Në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe të enjten ka vazhduar me dyer të mbyllura gjykimi për spiunazh ndaj dy të akuzuarve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, ku do të elaborohet ekspertiza e psikiatrisë forenzike për të akuzuarin Shabani.
Një gjë e tillë u bë e ditur nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe seancat e 28 dhe 29 janarit 2026, ishin mbajtur të mbyllura për të njëjtat arsye.
Deri te mbyllja e këtyre seancave erdhi me propozim të mbrojtësit të Shabanit, avokatit Besnik Berisha i cili kishte deklaruar se ekspertët do të deklarohen për gjendjen psikiatrike të Shabanit.
“Me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të Bedri Shabanit, mbrojtjes së informatave, se ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahet me askënd pa pëlqimin e tij, propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të mbahet e mbyllur për publikun”, kishte deklaruar avokati Berisha.
Ndryshe, seanca e planifikuar për 20 nëntor 2025, ishte anuluar pasi ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin Bedri Shabani.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.
Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.
Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në pikën e parë Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.
Aktakuza thotë se Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviç, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt, gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.
Andaj, thuhet se me këto veprime i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK -së të Mollopolcit të Shtimes me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikime organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut, duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç që të ndërmarrin veprime operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.
Prandaj për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjestarët e UÇK-së, emrat dhe eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç përgjegjës për Regjionin e Pançevës përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë.
Me këto veprime, i akuzuari Qerimi thuhet se ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Prandaj për këto veprime, Qerimi ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.
Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 5 qershor 2024 të pandehurit Qerimi gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Me këto veprime, Qerimi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorzuar të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.







