Pas homazheve të mbajtura në nderim të dëshmorëve, në 27-vjetorin e masakrës në Shtuticë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Serbia ka ushtruar gjenocid ndaj popullatës së pafajshme civile në Kosovë.Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar që drejtësia të vihet në vend dhe të ndëshkohen përgjegjësit për krimet e kryera gjatë luftës.
Haxhiu theksoi se Serbia ka ushtruar gjenocid mbi popullatën civile, duke mos kursyer askënd.
“Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave e pleqve janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Më 30 prill 1999, në mbrojtje të civilëve të paarmatosur dhe të pafajshëm, ranë 42 ushtarë të UÇK-së, tashmë dëshmorë të kombit. Në mesin e tyre ishte edhe heroi Ilaz Kodra, i cili udhëhoqi Brigadën 114. Janë ata që e bënë të mundur që sot ta kemi shtetin e Kosovës, lirinë dhe pavarësinë”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Kurti deklaroi se edhe pas 27 vjetësh po shënohen përparime në arrestimin dhe gjykimin e kriminelëve serbë, përfshirë edhe gjykime në mungesë.
“Ka përparime sa i përket fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë. Duhet bërë më shumë dhe duhet vepruar më shpejt nga Prokuroria dhe Gjyqësori. Dëshmitë janë këtu, por dëshmitarët po plaken, e shumë prej tyre edhe po vdesin. Prandaj duhet të ngutemi që drejtësia të vihet sa më parë në vend”, tha Kurti.
Ai shtoi se nuk duhet harruar se gjenocidi i Serbisë gjatë viteve 1998-1999 ishte i katërti dhe i fundit, por sipas tij, paraprakisht kanë ndodhur edhe tri të tjera ndaj popullit shqiptar ndër breza.
“Siç thuhet edhe në këtë memorial, gjaku i tyre është shndërruar në dritën e lirisë që na e ndriçon rrugën përpara, na e përkujton prej nga vijmë dhe na e bën të qartë se ku shkojmë. Republika e Kosovës, demokratike dhe e pavarur, shtet i orientuar drejt BE-së dhe NATO-s, i ka rrënjët e lirisë dhe themelet e institucioneve në gjakun e këtyre dëshmorëve dhe martirëve”, deklaroi Kurti./rtk







