Policia ka dalë me njoftim zyrtar mbi atentatin me armë zjarri të ndodhur në fshatin Balldre të Lezhës, teksa dy persona kanë mbetur të vrarë. Konkretisht bëhet fjalë për Kreshnik Mujecin dhe Gentiana Mujecin.
Sipas informacioneve paraprake, të dy viktimat janë gjetur të vrarë brenda një automjeti tip “Audi”.
“Rreth orës 14:50 në dalje të fshatit Balldren, Lezhë, në rrugën Balldren-Torrovicë, në rrethana ende të paqarta gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Audi, me drejtues shtetasin K. M., 39 vjeç, që udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje. Shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet nga Policia e Shtetit.










