Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar për qëndrime të paqarta dhe kërkesa të dyfishta në procesin për zgjedhjen e presidentit.
Sipas saj, propozimi i Abdixhikut që LDK mund të propozojë një kandidate si Vjosa Osmani, me kusht që të sigurohen votat nga shumica parlamentare, është qasje partiake dhe jo gjithëpërfshirëse.
Ajo ka rikujtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një model tjetër, ku partitë opozitare do të paraqisnin tre emra jopolitikë, me synim arritjen e një konsensusi më të gjerë institucional.
Kryeziu-Hyseni ka përmendur gjithashtu emra si Glauk Konjufca dhe Murat Jashari si figura që sipas saj mund të gëzojnë mbështetje më të gjerë, duke theksuar nevojën për kandidatë unifikues dhe me integritet të lartë.
Ajo ka shtuar se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit ndërmjet partive, duke propozuar kandidatë konsensualë dhe duke shmangur qasjet që, sipas saj, çojnë drejt bllokadës apo zgjedhjeve të reja.
“Me 3 kandidatë në garë që ju do t’i propozonit bashkë me PDK’në si opozitë, do të ishim dukshëm mbi 80 deputetë si prag për kuorum. Kjo ishte ofertë që opozita ta merr bajrakun për gjetjen e 3 kandidatëve konsensual, me merita e vlera kombëtare, kurse Lëvizja duke ju mbështetur që ta realizoni këtë akt. Pra, ju bashkë propozimin e kandidatëve, ne mbështetjen. Kjo është oferta për zgjidhje, kurse çfardo refuzimi apo qëndrimi ndryshe tregon se nuk doni zgjidhje, por zgjedhje”, ka shkruar Kryeziu-Hyseni në Facebook.







