Mban një numër të madh librash.
Por ndonjë shitje, vështirë se e bën.
Ky libërshitës në qendër të kryeqytetit thotë se ka rënie të interesimit për lexim.
“Niveli i leximit është shumë i ulët, fatkeqësisht. E ky nivel kaq i ulët shprehet edhe në jetën shoqërore te qytetarët tanë në Kosovë, duke i parë në gjitha sistemet, edhe në atë arsimor, por edhe në atë të qeverisjes politike”, ka thënë Beqiraj.
Të njëjtën e thotë edhe vetë një qytetar i cili tregon që ditët e sotme lexon pak, ndryshe nga më parë.
“Unë qetash kohëve të fundit shumë pak, mirëpo në kohërat e mëparshme kam lexu shumë, krejt librat që ekzistojnë gati”, u shpreh një qytetar.
Se ka pak interesim për vepra letërsie e thotë se ky autor librash.
Sipas tij, tanimë librat po zëvendësohen me pajisje teknologjike.
“Libri mjerisht nuk është tu u shfrytëzu sa duhet, i kanë bërë telefonat amo ajo është gabim, edhe të prindërit janë gabim se pa libër nuk ka asgjë”, ka thënë edhe qytetari tjetër.
Sipas njohësit të arsimit, tani lexohet më shumë në rrjete sociale.
“Ne sot lexojmë shumë, por nuk lexojmë si duhet, ne lexojmë gjithmonë më shumë se më herët, mirëpo lexojmë shumë fragmentare, gjëra pothuajse të parëndësishme, gjëra që ne i marrim prej rrjeteve sociale sepse pjesën më të madhe e kalojmë në rrjete sociale, ndaj të kalohet prej të lexuarit sipërfaqësor, në të kuptuar të thellë”, theksoj Rexhaj.
E studiuesi i filozofisë politike, Latif Mustafa thotë se sipas një studimi, në lexim dominon gjinia femërore.
“…në bazë të një studimi nga ETEA thuhet se vetëm 6.7 përqind e atyre që janë anketu thonë që lexojnë dikund 13 libra gjatë vitit që i bie një libër në muaj, pra konsiderohet si masë që lexon rregullisht, dikund 38 përqind lexojnë 1 deri në 3 libra. Mosha që preferon leximin është 14 deri në 19, kurse në aspektin gjinor janë gratë”, u shpreh Mustafa.
Këtë të enjte u shënua Dita Botërore e Librit, një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore.






