Një nxënës 15-vjeçar ka dorëzuar në stacionin policor në Shtime një shumë parash të gjetura në rrugën “Tahir Sinani”.
Sipas Policisë, i mituri me inicialet N.SH. ka gjetur 180 euro dhe pa hezitim është paraqitur në stacionin policor për t’i dorëzuar ato.
Pas verifikimeve të menjëhershme nga zyrtarët policorë, është arritur të identifikohet pronarja e parave, qytetarja me inicialet F.H. nga Shtimja.
Paratë i janë kthyer asaj në prezencën e policisë, ndërsa ajo ka falënderuar nxënësin për gjestin e tij.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, falënderon nxënësin N.SH. për këtë veprim human dhe shembullor. Ky akt dëshmon jo vetëm edukatën e tij familjare, por edhe besimin e qytetarëve te policia. Me këtë rast, policia i uron nxënësit shumë shëndet dhe suksese në procesin mësimor dhe në të ardhmen, duke inkurajuar të gjithë qytetarët që për raste të tilla të bashkëpunojnë me policinë”, thuhet në njoftim./teve1.info/




