Juristja shqiptare Rudina Jasini nuk do të jetë më pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj tij, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit është marrë nga udhëheqësi i mbrojtjes së Selimit, Geoffrey Roberts, më 27 mars 2026. Sipas njoftimit të Regjistrit, ai i ka dërguar një letër Zyrës së Mbrojtjes duke kërkuar ndërprerjen e kontratës së Jasinit me efekt të menjëhershëm.
“Me 27 mars 2026, mbrojtësi i Rexhep Selimit, Z. Geoffrey Roberts, i ka dërguar një letër udhëheqësit të Zyrës së Mbrojtjes duke deklaruar se ka vendosur t’ia ndërpres kontratën Znj. Jasini si bashkëmbrojtëse e Z. Selimi me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.
Angazhimi i saj në Dhomat e Specializuara ka përfunduar zyrtarisht më 7 prill 2026.
Rudina Jasini është një studiuese e specializuar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesoreshë në Universitetin e Oksfordit. Ajo njihet si avokatja e parë shqiptare në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, ku ka qenë e përfshirë në rastin Haradinaj.
Pas pesë vitesh angazhim në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, Jasini ka ndarë edhe qëndrimet e saj lidhur me procesin në Hagë, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.
“Ky proces gjyqësor që u kthye në teatrin e absurditetit, ku një Prokurori është përpjekur të rishkruaj historinë e UÇK-së dhe luftën për pavarësi përmes akuzave të shtrembëruara. Por historia nuk mund të shkruhet as në atë sallë gjyqi dhe as në sallonet e Brukselit dhe Uashingtonit. Ajo është shkruar me sakrificën e qytetarëve të Kosovës, me gjakun e luftëtarëve të lirisë dhe me jetën e dëshmorëve”, ka shkruar Jasini një ditë para fjalëve përfundimtare në këtë proces.








