Tryeza e Dialogut Ndërfetar me temën “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?” ka mbledhur sot përfaqësues institucionalë, fetarë dhe të shoqërisë civile, me qëllim forcimin e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe harmonisë ndërmjet komuniteteve në Kosovë.
Në këtë takim u theksua rëndësia e dialogut ndërfetar si një mekanizëm kyç për ruajtjen e paqes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi rëndësinë historike dhe aktuale të bashkëjetesës ndërfetare në vend, duke e cilësuar atë si një vlerë të rrënjosur thellë në shoqërinë kosovare.
Sipas tij, bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë nuk është vetëm një aspiratë moderne, por edhe një traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën. Ai shtoi se kjo vlerë ka kontribuar në ruajtjen e kohezionit dhe stabilitetit shoqëror, duke dëshmuar se diversiteti është pasuri e përbashkët dhe jo burim ndarjeje.
Ai theksoi se institucionet po punojnë për funksionalizimin e këtyre objekteve, në mënyrë që ato t’u shërbejnë besimtarëve dhe komunitetit të gjerë, duke forcuar më tej bashkëjetesën ndërfetare.
“Liria fetare padyshim mbetet një nga të drejtat themelore universale të njeriut, si bazë e një shoqërie demokratike dhe gjithpërfshirëse që gjithnjë do të na ndihmojë që t’i tejkalojmë vështirësitë sa më lehtë dhe më shpejtë. Edhe trashëgimia kulturore e fetare përfaqëson një pasuri të përbashkët që i lidh komunitetet, forcon identitetin dhe nxit mirëkuptimin e ndërsjellë. Politikat tona synojnë që ta mbrojnë trashëgiminë kulturore, ta vënë atë në shërbim të paqes, bashkëjetesës dhe zhvillimit shoqëror”, tha Kurti.







