Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për një operacion policor të zhvilluar në gjashtë lokacione në Zubin Potok, ku janë sekuestruar armë dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për veprimtari të kundërligjshme.
Sipas tij, gjatë aksionit të realizuar nga Policia e Kosovës, janë konfiskuar armatim i llojeve të ndryshme, radiolidhje, një granatë dore, uniforma ushtarake, si dhe 213 copë municione.
Sveçla theksoi se provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për aktivitete të jashtëligjshme, të cilat mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në vend.
“Provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për aktivitete të jashtëligjshme, të cilat kanë potencial të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në vend”, ka deklaruar ai.
Ai gjithashtu paralajmëroi se institucionet e sigurisë do të reagojnë me vendosmëri ndaj çdo individi apo grupi që përbën kërcënim për qytetarët dhe shtetin.
“Rendi, ligji dhe siguria në Republikën e Kosovës mbeten prioritet institucional. Çdo veprim që rrezikon këto parime do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis”, ka theksuar Sveçla.







