Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj raportimeve mediatike për një marrëveshje të mundshme politike mes LDK-së dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas këtyre raportimeve, thuhej se bisedimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku do të përfshinin jo vetëm zgjedhjen e presidentit, por edhe ndarjen e posteve institucionale, përfshirë atë të kryetarit të Kuvendit.
Madje, sipas spekulimeve, në një marrëveshje të mundshme LVV–LDK do të ndryshonte posti i kryetares së Kuvendit, ndërsa për president do të mbështetej një kandidat i përbashkët.
Por Haziri i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i quajtur ato të pavërteta.
“LDK dhe kryetari Abdixhiku janë në bisedime për t’i dhënë vendit president. Shkrimet në media për ndërrime të pozicioneve janë absolutisht të pavërteta”, ka deklaruar ai.
Ai shtoi se LDK mbetet e përkushtuar për institucione funksionale dhe përfaqësuese.
“LDK është parti e shpresës dhe e besës dhe angazhohet në vazhdimësi për institucione funksionale dhe përfaqësuese”, u shpreh Haziri.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka theksuar se zgjedhja e presidentit varet nga vullneti i opozitës.
“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës, nuk kemi çfarë të bëjmë”, ka deklaruar ai më 15 prill.
Konjufca ka shtuar se do të tërhiqte kandidaturën e tij për president në rast se partitë opozitare arrijnë të propozojnë një emër të përbashkët.
“Në momentin që opozita del me një kandidat të përbashkët, kjo do të ishte gjëja e parë që do ta bëja, sepse është shumë e rëndësishme që Kosova ta ketë presidentin sesa emri i tij të jetë Glauk Konjufca”, ka thënë ai.







