Plot 104 karrige u vendosen në oborrin e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicën e Jugut.
Por në to, nuk u ulë asnjë person.
Në vend të kësaj, u vendosen lule dhe emrat e atyre, fati i të cilëve nuk dihet as pas 27 viteve.
Në këtë formë të mërkurën Mitrovica e Jugut i përkujtoi 104 të pagjeturit nga kjo komunë.
“Sot ne nuk kërkojmë mëshirë ne kërkojmë drejtësi, ne kërkojmë të vërtetën, kjo është çështje humane një plagë që nuk duhet të politizohet, sepse dhimbja nuk ka përkatësi ajo është e përbashkët. Do vazhdojmë të kërkojmë, të flasim të qëndrojmë pranë njëri- tjetrit deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve sepse pa drejtësi nuk ka paqe të plotë, nuk ka qetësi për shpirtin”, ka thënë Haziri.
E i pari i qytetit, tha se përkujtimi i të pagjeturve mbetet obligim.
“Minimumi çka mundemi që është detyre edhe njerëzore edhe morale por edhe institucionale, është që këta persona t’i kujtojmë që të mos lejojmë që të na kap harresa kolektive, për gjithë mundin sakrificën por edhe gjakun e derdhur për lirinë e Mitrovicës edhe të Kosovës”, u shpreh Peci.
Të pranishëm në këtë ngjarje, ishin edhe nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Kryetari i këtij komisioni, kërkoi angazhim më të madh nga Bashkësia Ndërkombëtare.
“E ndjejmë për obligim të bashkohemi me dhimbjen e familjeve, por edhe me thirrjen dhe apelin e familjeve për Bashkësinë Ndërkombëtare që të shtojnë presionin ndaj serbeve për të qenë më bashkëpunues në këtë proces në ofrimit të të dhënave nga arkivat e tyre por edhe në lokacionet tani më të shënjuara në territorin e Serbisë”, theksoj Gara.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi”
Ndërsa nga këtu, u marshua drejt kësaj shtëpie në lagjën e Boshnjakëve, ku u masakruan 23 shqiptarë nga forcat serbe.



