Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e Ditës së Dëshmorëve dhe përvjetorit të rënies së heroit Agim Ramadani, ku mbajti një fjalë rasti para familjarëve të dëshmorëve, ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe qytetarëve të pranishëm.
Gola e nisi fjalimin e tij me një falënderim të veçantë për familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët dhe të gjithë ata që kontribuuan në luftën çlirimtare, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e kujtesës kolektive.
Ai vlerësoi se përmes rrëfimeve dhe përkushtimit ndër vite, ata kanë mbajtur gjallë historinë e luftës dhe sakrificës për liri.
Duke u ndalur te rëndësia historike e Betejës së Koshares, Gola theksoi se kjo betejë përfaqëson një nga momentet më të lavdishme të historisë moderne të Kosovës, jo vetëm si operacion ushtarak, por edhe si akt që ndryshoi vetë kuptimin e kufirit.
“Heqja e kufirit shqiptaro-shqiptar ishte arritja më e madhe e Betejës së Koshares. Ajo, si beteja më e lavdishme e historisë sonë moderne, përtej të qenit operacion ushtarak, ishte edhe ndërhyrje në vetë kuptimin e kufirit. Kur u thye ai kufi, u çmontua edhe një kufi tjetër. Ai që kishim brenda vetes. Ai që na kufizonte edhe ëndrrat”, theksoi Gola.
Në fjalën e tij, Gola i kushtoi një vëmendje të veçantë figurës së komandantit Agim Ramadani, për të cilin tha se përfaqësonte një ndërthurje të rrallë të shpirtit krijues dhe vendosmërisë luftarake.
Ai theksoi se Katana nuk iu bashkua luftës nga mungesa e alternativave, por si zgjedhje e vetëdijshme për t’i shërbyer atdheut, duke braktisur jetën e ndërtuar në mërgim.
“Agim Ramadani, kishte shpirt të madh krijuesi. Pikturonte, shkruante, mendonte ndryshe. Ishte i shkolluar në Akademinë Ushtarake të Zagrebit, i rritur në Kosovë dhe më vonë, si i përndjekur, u detyrua të migronte në Zvicër. Atje bashkë me dashurinë e jetës së tij, rivalen e bankave shkollore dhe bashkëaktivisten në ilegale, zonjën e nderuar Shukrije Ramadanin, dhe me fëmijët Jetonin, Edonin dhe Lorinën ndërtoi jetën e tij”, theksoi Gola.
Gola përmendi edhe vargjet e Agim Ramadanit, duke nënvizuar mesazhin se pritja nuk mjafton për të arritur lirinë.
Duke folur për rolin e heroit Ramadani në Koshare, nënkryetari i Kuvendit shtoi se ai ishte jo vetëm komandant, por edhe udhëheqës me përgjegjësi të lartë ndaj bashkëluftëtarëve, i dalluar për qetësinë, disiplinën dhe vizionin në momentet më të vështira.
Gola nënvizoi se rënia e Agim Ramadanit më 11 prill 1999 la pas jo vetëm një boshllëk të madh, por edhe një standard të lartë për përkushtimin ndaj atdheut. Ai shtoi se ky standard vazhdon të shërbejë si udhërrëfyes për institucionet dhe qytetarët e Kosovës sot.
“Gatishmëria e komandant Katanës me bashkëluftëtarë i bindi edhe të tjerët se ajo që dukej e pamundur mund të bëhej dhe po bëhej. Frymëzoi një brez të tërë ta sheh lirinë si ideal që kërkon veprim konkret, rrezik dhe sakrificë. Nga ky brez përbëhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ushtri që u ndërtua në kushte të pamundura, por me një qartësi të plotë për atë që duhej arritur”, theksoi nënkryetari.
Në përmbyllje, Gola tha se përkujtimi i dëshmorëve është një thirrje për përgjegjësi dhe angazhim të vazhdueshëm për ruajtjen e vlerave për të cilat ata sakrifikuan.






