Blerje në “Tregun e Gjelbër” bëri edhe këtë të enjte.
Por këtij qytetari nga Prishtina, furnizimet iu bënë më shtrenjtë se zakonisht.
Hyzni Zuka thotë se nuk i kujtohet ndonjëherë të ketë blerë me çmime kaq të larta.
“Tani në këtë kohë gjashtë euro, shtatë euro një kilogram speca, me të vërtetë kjo është jashtë çdo normale. Fare këtu nuk ka kontrolle, sado, kushdo, sido vepron si të nafta, po ashtu edhe të gjërat e përditshme”, thotë Hysni Zuka-qytetar
Të njëjtin hall ka edhe ky qytetar tjetër.
“Me 100 euro harxh mundet me marr për eventualisht për tre ditë, më shumë nuk mundesh me marr, se çmimet janë më të vërtetë të shtrenjta. Pemë e perime po mendoj mundesh më nga pak me i marrë, por janë këto tjerat ushqimore që nuk mundesh me ia dal më tepër më 100 euro, e pensionet 150 tash paramendoni”, shprehet Kadrush Beka – qytetar.
Për jetesën në Kosovë, këto çmime po i duken të larta edhe këtij mërgimtari.
Por pavarësisht kësaj, Hysen Kikolli thotë që do të kontribuoj këtu.
“Çmimet kanë lëvizë thuajse në krejt botën me rastin e kësaj luftës. Pavarësisht në Kosovë me të ardhurat që i kanë këtu e rëndojnë pak më tepër se çmimet normal kanë ndryshuar. Krejt çka kam qejfe po kam dëshirë me i lanë këtu në Kosovë mos me i lanë në tjera vende ka të shkojë”, shprehet ky qytetar.
Për gjithë këto shtrenjtime të produkteve ushqimore, por edhe të naftës, sipas profesorit të ekonomisë, Shkumbin Misini fajtor është Qeveria.
“Unë isha në market, lëvizjet e çmimit kanë marrë hov të madh dhe diku 20 deri në 25% janë rritur disa produkte. Është dashur të hiqet përveç akcizës edhe TVSH-ja. Më e rëndësishme për kryeministrin janë të hyrat buxhetore sesa kostoja e jetesës, nuk ka kuptim kur i rritet të hyrat buxhetore e ia shtrenjton jetën njerëzve dhe i bie kualiteti i jetës apo i bie cilësia e jetesës, kështu që ai është përgjegjësi kryesor për këtë inflacion”, shprehet Misini.
Për këtë çështje, Qeverisë i është kërkuar të marrë masa urgjente.



