Veturën po e mbush si zakonisht.
Por, për sasinë e njëjtë, Adnan Zajmi edhe të mërkurën pagoi 40 euro më shumë.
Kjo meqë edhe të mërkurën çmimi i litrit të naftës në Kosovë, kushtoi 1.86 euro.
“Me 70 euro, kurse tani më 110 euro. Pak shtrenjtë por pasi ka nuk është shtrenjtë”, thotë Adnan Zajmi -qytetar.
E se çmimi i naftës është i lartë për standardin e Kosovës, e thotë edhe dikush tjetër.
“Është shumë 1.82., 1.84., jemi duke e pa në rrjetet sociale shumë që është hip nafta, por besoj që do të zbritet pak qysh u kanë ndoshta zbret. Për Kosovë për disa njerëz është shumë 1.84 se nuk janë rrogat me qenë 1.84 nafti me kanë rrogat 1200 euro këtu është ndryshe”, shprehet Egzon Krasniqi-qytetar.
Se mund të ketë rënie të çmimeve të derivateve në ditët në vazhdim e thonë nga Shoqata e Naftëtarve të Kosovës.
Krejt kjo pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë arritur një armë pushim dy javor.
“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër. Nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë”, thotë Fadil Berjani – kryetar i Shoqatës së Natarëve në Kosovë.
E ekspertët thonë se në cmim të derivateve ndikon edhe sasia e paktë e rezervave të naftës në vend.
“Diku në Kosovë ka deri në dhjetë ditë rezerva strategjike për derivate të naftës. Këto janë shumë të ultë duhet të ketë shumë më shumë rezerva strategjike për derivate të naftës në mënyrë që në situata krize, emergjente të ketë mbështetje, mbulesë që varet nga këto rezerva që të mos ngritët çmimi edhe më shumë e të bëhet jeta e qytetarit e papërballueshme”, vlerëson ekonomisti Jakup Bellaqa.
E ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha të mërkurën se duhet të kalojnë disa ditë deri në stabilizimin e çmimeve të derivateve.
“Varet nga rrethanat në lindjen e mesme shumë e rëndësishme që ky mekanizëm i joni deri tani ka dhënë rezultatet e veta ndoshta jo në nivel 100% ka pas lëvizje të çmimeve, por gjithsesi që në situatën kur do të kemi qarkullim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mos ndikim të sasi apo të çmimit në berzen ndërkombëtare, atëherë edhe në Kosovë do të hiqet mekanizmi i përcaktimit me marzhë. Por duhet më shumë se sa një ditë që të përcaktohet saktë se a kemi kaluar në një situatë normale apo ende ka hapësirë për destabilitet”, tha ajo.
Sipas njoftimit të ministrisë, për datën 8 prill çmimet maksimale të lejuara për një litër naftë janë 1.89 euro, për benzinë 1.46 euro si dhe për gas 0.77 euro litra.






