Për të ardhur në Kuvendin e Kosovës përdori hyrjen e Presidencës.
E pikërisht për pozitën e këtij institucioni, kryeministri Albin Kurti të hënën i filloi edhe një herë bisedimet.
Ai u takua sy më sy me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Ky i fundit, doli i pari nga takimi.
Detaje se çka bisedoi për dy orë me kryeministrin, nuk dha shumë para gazetarëve Abdixhiku.
“Diskutuam për afatin kohor, i kemi më pak se tri javë kohë për konsensus dhe për të arritur një marrëveshje eventuale, ndryshe shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk i do askush, as LDK, po provojmë që përmes takimeve të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Nuk kemi rrethanë të re nga takimi i sotëm. Takimet do vazhdojnë. Do takoj edhe liderët e tjerë, të PDK dhe AAK”, tha kreu i LDK-së.
Abdixhiku shtoi se tri pozitat shtetërore nuk i takojnë një partie.
Por, sërish tha se në tavolinë nuk hodhi emra konkretë për pozitën e të parit të shtetit.
“Bëmë përpjekje për të gjetur zgjedhje, brenda përpjekje diskutuam për natyrën dhe modalitetet e kësaj zgjidhjeje se si duket. Nuk kemi emra konkretë, nuk kemi arritur në atë fazë”, tha ai.
Pas Abdixhikut, gazetarëve iu drejtua edhe kryeministri Albin Kurti.
Edhe shefi i ekzekutivit tha se duan t’i shmangin zgjedhjet e reja.
“Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të vendosur që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse ato nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Ne jemi përpjekur edhe më herët dhe përzgjedhja e kandidatit tonë, Glauk Konjufca, u zyrtarizua më pak se 30 orë para mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit, ndërsa kundërkandidatja e tij, Fatmire Kollcaku, u propozua më pak se 3 orë më vonë. Pra, kemi bërë përzgjedhje të detyruar brenda subjektit tonë në ndërkohë kur askush nuk nxirrte asnjë propozim për kandidat dhe tani ndodhemi ku ndodhemi”, u shpreh Kurti.
Kurti njoftoi se do të ketë takim edhe me të parin e PDK-së, Bedri Hamzën.
“PDK-ja asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara nesh, vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër që dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të mos na tregojnë paraprakisht. Kjo e bën të pamundur marrëveshjen, uroj që në komunikimet në vijim kjo të ndryshojë, tha ai.
E nuk vonoi shumë, Kurti e mori përgjigjen nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet nga PDK.
Për zgjedhjen e presidentit të ri, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë afat deri më 28 prill.



