Ish-punëtorët e ndërmarrjes publike “Trepça” po akuzojnë menaxhmentin aktual të kësaj kompanie për degradim dhe ndërprerje të padrejtë të kontratave të punës.
Ish-punëtorja e Ndërmarrjes “Trepça”, Valdete Shabani, ka ngritur akuza ndaj menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje, duke pretenduar për degradim në pozitë, transferime të njëpasnjëshme dhe ndërprerje të padrejtë të kontratës së punës.
Ajo ka deklaruar se ishte e punësuar në “Trepça” që nga viti 2011 deri në nëntor të vitit 2025, ku gjatë kësaj periudhe kishte mbajtur pozita të ndryshme, kryesisht në Administratë dhe Financa, duke i kryer detyrat me sukses dhe duke u vlerësuar si punëtore e dalluar.
“E punësuar në ndërmarrjen Trepça që nga viti 2011, deri në nëntor të vitit 2025. Nga viti 2011 në ndërmarrjen Trepça kam kaluar në pozita të ndryshme, ku zakonisht kam punuar në departamentin e Administratës dhe Financave. Nga ai vit, çdo herë të gjitha detyrat e caktuara nga udhëheqësit i kam kryer me shumë sukses në ndërmarrjen Trepça, në departamentin e Financave dhe Administratës, gjithmonë kam qenë si punëtore më e dalluar. Deri në janar të vitit 2024, kur në ndërmarrjen Trepça ka ardhur udhëheqësia që përbëhet nga drejtori Shyqyri Sadiku, kryeshefi Faton Ahmeti, drejtori ligjor Arianit Voca si dhe komisioni disiplinor dhe Komisioni i Ankesave. Në shtator të vitit 2024 unë kam pasur transferin e parë, ku jam larguar nga departamenti i flotacionit Tuneli i Parë dhe jam dërguar në Metalurgjinë e zinkut. Aty ku jam dërguar unë jam degraduar me pozitë, po ashtu më kanë dërguar në një vend ku kushtet e punës kanë qenë shumë të rënda”, tha Shabani për KP.
Sipas saj, pas paraqitjes së ankesave në gjykatë dhe në inspektorat, menaxhmenti ka ndërmarrë masa të tjera ndaj saj, duke e transferuar në një njësi tjetër, me kushte më të vështira dhe largësi të konsiderueshme.
“Kur menaxhmenti e ka kuptuar se unë kam filluar të bëj ankesa në gjykatë dhe në inspektorat, ai më ka bërë një tjetër transfer, ku nga Mitrovica më dërgon në Njësinë e Kishnicës, ku nga këtu është një largësi 100 km vajtje-ardhje. Kur jam dërguar atje, përsëri jam degraduar me pozitë, po ashtu më është zbritur edhe paga dhe në vendin e punës ku jam dërguar mund të them se çdo ditë kam qenë e rrezikuar. Aty unë e kam pësuar një lëndim, ku edhe pas trajtimit që kam pasur, menaxhmenti përsëri më kthen në atë pozitë, do të thotë nuk ka bërë asnjë gjë për të ma ndryshuar vendin e punës, ku veç e kanë kuptuar se lëndimi që e kam pasur mund të them se ka qenë si shkak i tyre, se me vendime të tyre unë jam dërguar në atë njësi”- ka thënë Valdete Shabani.
Shabani ka theksuar se për rastin e saj ka ndjekur rrugë ligjore, duke fituar vendime në favor nga gjykata dhe duke bërë ankesa edhe në inspektorat, i cili sipas saj ka konstatuar shkelje nga ndërmarrja.
“Vendimin e parë unë e kam marrë nga Komisioni i Ankesave, që do të thotë ka qenë vendim negativ. Pastaj, unë kam ngritur padinë në gjykatë dhe pas dy muajve nga gjykata kam marrë vendim pozitiv, ku do të thotë se gjykata ka konstatuar se transferet që mi kanë bërë, mi kanë bërë në mënyrë joligjore”, tregon ajo.
Ajo ka shtuar se arsyetimet për transferet, sipas menaxhmentit, kanë qenë të lidhura me nevoja për rikonstruim, por që sipas saj këto nuk kanë qenë të bazuara.
“Dy vendimet që i kan marrë për transfer, arsyetimi i tyre i vetëm ka qenë se ndërmarrja ka nevojë për rikonstruim, ku mund të them se ajo nuk ka qenë aspak e vërtetë, por nuk kanë pasur pikë ku të thirren, ndërsa këtu kanë hulumtuar, kanë shikuar, mund të them që të më gjejnë mua ndonjë vërejtje apo ndonjë gjë, por nuk kanë mundur ta bëjnë këtë dhe ai ka qenë si një arsyetim” – tha Shabani.
Në lidhje me këto pretendime, edhe ish-punëtori tjetër i Ndërmarrjes “Trepça”, Bahri Brahimi, ka ngritur shqetësime të ngjashme, duke e lidhur ndërprerjen e kontratës së tij me gjendjen shëndetësore dhe pushimin mjekësor.
Ai ka bërë të ditur se ishte i punësuar nga viti 2019, ndërsa kontrata i është shkëputur në vitin 2025, pas një periudhe kur kishte probleme serioze shëndetësore.
“Jam i punësuar në vitin 2019, kurse në vitin 2025 më është shkëputur kontrata. Në vitin 2024 unë kam pasur problem shëndetësor, faktikisht tumor në kokë, po atë vit jam operuar dhe pas operimit nuk kam qenë keq, por më pas më është përsëritur, domethënë e kam përsëritëse sëmundjen”, tha Brahimi.
Sipas tij, megjithëse kishte hapur pushim mjekësor dhe kishte dokumentacion të rregullt, ndërmarrja e kishte ftuar në komision disiplinor dhe më pas i kishte ndërprerë kontratën e punës.
“Kur kam hapur pushimin në ndërmarrje, çdo gjë është në rregull, se ata më kanë dërguar një ftesë në muajin e tetë, në fakt saktl datën nuk e di, ma kanë dërguar ftesën për me shku në komision disiplinor dhe më kanë shkëputur kontratën. Ata, krejt kërkesat, kinse unë nuk kam qenë në punë, në fakt unë kam qenë në pushim mjekësor dhe për atë më kanë shkëputur kontratën. Pretendimi i tyre ka qenë se 59 ditë unë kam munguar në punë, diçka e tillë. E parasheh 20 ditë normal si të takojnë plus është edhe pushimi mjekësor pa pagesë. Po, pa pagesë pushim, asnjë cent s’e kam marrë prej ndërmarrjes”, tregoi ai.
Në anën tjetër, Faton Ahmeti, kryeshef i Ndërmarrjes Trepça, ka sqaruar se transferimet dhe ndërprerjet e kontratave janë bërë sipas rregullave të ndërmarrjes, për të mbrojtur punëtorët me probleme shëndetësore dhe për të rregulluar listat e pagave.
“Realisht ne kemi pasur punëtorë këtu që nuk kanë ardhur në punë ndoshta edhe me vite dhe ne jemi marrë konkretisht me këta persona që të pastrohet lista e pagave nga personat që nuk vijnë në punë, duke mos u lëshuar në emra të përveçëm. Pas identifikimit të kësaj situate që ka qëndruar në ndërmarrjen Trepça, ne e kemi krijuar Komisionin e Ankesave që përbëhet nga 3 anëtarë dhe Komisionin Disiplinor me 3 anëtarë. Burimet njerëzore e iniciojnë si proces, unë e lejoj si kryeshef vetëm me vazhdu procesi mbi pretendimet apo shkeljet që ai punëtor i ka bërë, pastaj komisioni disiplinor vendos mbi faktet dhe argumentet që i kanë shpalosur dhe ai e merr vendimin në mënyrë të pavarur”, tha Ahmeti.
Ahmeti shtoi se lëvizjet brenda ndërmarrjes nuk përbëjnë degradim, por janë të bazuara në diagnoza mjekësore dhe rekomandime të mjekësisë së punës, duke synuar ruajtjen e vendit të punës dhe mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve.
“Nuk e kisha trajtuar si degradim të vendit të punës, për arsye që këtu ka edhe raste që na duhet me i specifikuar, ku ne bëjmë kontrolle sistematike për shëndetin në punë, ku në bazë të atyre kontrolleve ose diagnozës që na jepet neve, thuhet se X punëtor nuk mundet me ushtru këtë aktivitet të punës. Për shembull, nëse ai ka probleme shëndetësore me zemër, nuk mundet me qenë xehetar në minierë”, shtoi kryeshefi i Ndërmarrjes Trepça, Faton Ahmeti.
Largimet, degradimet dhe transferimet e njëpasnjëshme të ish-punëtorëve Valdete Shabani dhe Bahri Brahimi kanë ngritur debate mbi menaxhimin e ndërmarrjes Trepça, ndërsa drejtuesit e saj insistojnë se çdo vendim është marrë në përputhje me rregullat dhe rekomandimet mjekësore.








