Është ditë e parë e punës si e para e shteti.
Kështu e diela, ushtruesen e detyrës së presidentes së shtetit, Albulena Haxhiu, e gjeti në Skenderaj.
Krejt kjo, në shënimin e 27 vjetorit të Masakrës së Rezallës.
Pas homazheve, Haxhiu tha se krimet e Serbisë në Kosovë, nuk do të harrohen kurrë.
5 prill të vitit 1999 djem e burra nga mosha 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkiten, u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u pushkatuan. Por kjo nuk i mjaftoi regjimit të Serbisë, trupat e tyre i rrëmbyen dhe me trupat e tyre hapën varre masive në Serbi. Qëllimi ishte që t’i fshehin gjurmët e krimit gjenocidal, por gjurmët e krimit nuk do fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë, ato do të mbahen mend gjatë e përherë në kujtesën e familjarëve të tyre por edhe në kujtesën tonë kolektive”, tha Haxhiu.
E pas Haxhiut, për homazhe këtu ishte edhe i pari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Ky i fundit, pati kritika për krerët e shtetit.
“Ky është edhe problemi më i madh, që ne nuk duhet me ardhë këtu vetëm kur kemi nevoje me lyp votë. Po unë mendoj që këtu duhet me ardh nganjëherë edhe me kërkuar forcë, me pa çka ka ndodhe në këtë vend. Nëse t’i e merr një rrugë prej Skenderajt me shku deri në Prishtinë, ke të vrarë edhe në shumë familje edhe në Shkabaj edhe në të tjerat. Domethënë, nëse ti vërtet e ndjen atë që ka ndodh këtu , me siguri që sot ish dashtë me qenë edhe partitë politike, po edhe institucionet e Kosovës, sepse në fund të fundit lufta ka ndodh për institucione, ka ndodhe për këtë vend”, tha ai.
E kritika për dikë, pati edhe një kryetar tjetër.
“Këtu sot ka qenë mirë të jetë protagonisti i librit, Shkëlzen Gashi me ekipin e vet, të shohin këtë pllakë me emra e mbiemra, të marrin dhe ta dinë që këtu në këtë vend ka pasur masakër, jo vetëm në këtë vend por në tërë territorin e Kosovës ka pasur masakra”, tha Hysni Gucati-kryetar i OVL-UÇK-së.
E puna e Gashit, duket se nuk i pëlqeu as kryetarit të shoqatës së familjeve të dëshmorëve.
“Merreni me mend, është shqetësuese kur thuhet nga ky person që ishte këshilltar i kryeministrit, nga ky person që është financuar libri i tij dhe dëm i është bërë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse ministrja Gërvalla ka blerë libra dhe i ka shpërndarë nëpër diplomaci, po edhe ky vetë ka shitë libra të tillë. Kështu që mendoj se do të mbetet punë e prokurorisë dhe do të merret një vendim. Dhe ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që të nxirret ligji për mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata që duan me shkru referenca dhe dëshmi të sakta, faktike, mund t’i marrin nga organet kompetente”, u shpreh Xhavit Jashari.
Në Rezallë, të dielën përveç familjarëve e qytetarëve, për homazhe ishin edhe figura të tjera politike të vendit.
Ndryshe, me 5 prill të vitit 1999, forcat serbe në këtë fshat i ekzekutuan 98 shqiptarë, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.






