Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Murati theksoi se rritja ekonomike për vitin 2025 është ndikuar nga situata politike dhe mosfunksionimi i plotë i institucioneve, duke përmendur pengesat në miratimin e reformave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Sa i përket raportit të FMN-së. I nderuar zotëri Hamza, po, është e vërtetë që vitin e kaluar rritja ekonomike është përllogaritur të jetë 3.6%.Por kjo, edhe sipas raportit të konfirmuar, është për shkak të mosfunksionimit të plotë të institucioneve. Siç e dini, pra vitin e kaluar, gjatë gjithë vitit, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka qenë në funksion efektiv dhe ka pamundësuar shumë prej reformave, e madje edhe miratimin e shumë prej marrëveshjeve ndërkombëtare që do t’i jepnin impuls shtesë ekonomisë së vendit. Sa për krahasim, në vitin 2018 kur ju keni qenë ministër i Financave pa asnjë krizë, me parlament funksional, me qeveri funksionale rritja ekonomike ka qenë veç 3.4%. Pra, më e ulët sesa ne që e kemi pasur kur ka pasur kuvend jofunksional. Sa i përket pagave, u tha që nuk janë rritur. E pavërtetë gjithashtu. Pra, në sektorin publik pagat janë rritur 45%, duke mos llogaritur këtu edhe pagën e 13-të që sapo është dhënë. Ndërkaq paga minimale, nga niveli 170 euro që e kemi gjetur, aktualisht është 264 euro dhe në korrik të këtij viti bëhet 500 euro. Pra, trefishim gati i pagës minimale në sektorin privat“, tha Murati.
Ai gjithashtu akuzoi Hamzën për performancën gjatë kohës sa ishte në krye të Ministrisë së Financave, duke krahasuar rezultatet ekonomike të asaj periudhe me ato aktuale.
Murati theksoi se, pavarësisht sfidave politike, qeveria ka arritur të rrisë pagat në sektorin publik dhe të avancojë ndjeshëm pagën minimale në sektorin privat.










