Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar Kombëtaren e Kosovës në futboll me Medaljen Presidenciale të Meritave, në një ceremoni të mbajtur një ditë pas ndeshjes së “play-off”-it ndaj Turqisë, e cila përfundoi me rezultat 0:1.
Në fjalën e saj, Osmani theksoi se, pavarësisht humbjes dhe moskualifikimit në Kupën e Botës, Kombëtarja mbetet një ndër përfaqësimet më dinjitoze të shtetit në arenën ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi lart kontributin e futbollistëve, duke e cilësuar rrugëtimin e tyre si frymëzim për brezat e rinj dhe si pjesë të rëndësishme të historisë sportive të vendit.
“Në bazë të kompetencave të mia kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, kam vendosur që Kombëtaren e Republikës në Futboll ta dekoroj me Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacionin: Për përfaqësim dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare; Për krenarinë që i kanë dhënë shtetit tonë. Si dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror” – tha presidentja Osmani.
Presidentja nënvizoi se kjo medalje jepet për përfaqësim dinjitoz, për krenarinë që i kanë sjellë vendit dhe për arritjen në fazën finale të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, duke shtuar se e ardhmja e ekipit është premtuese.
Në emër të komunitetit të futbollit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, shprehu mirënjohje për këtë vlerësim institucional. Ai theksoi se, ndonëse Kombëtarja nuk arriti kualifikimin, mbështetja e shtetit dhe e qytetarëve mbetet thelbësore për zhvillimin e futbollit në vend.
“Kjo është medalja më e çmuar, medalja e shtetit tonë, medalja e popullit tonë. Ne vërtetë nuk shkuam në Kupën Botërore, por fituam një medalje e shtetit tonë, zemrat e shtetit tonë, e cila është për neve shumë e rëndësishme sepse ne jemi të këtij shteti. Ne si federatë dhe si futbollistë jemi shumë të lumtur që kemi pasur një bashkëpunim kaq të mirë dhe kaq të afërt me presidenten tonë, e cila na ka ndihmuar gjithmonë, me dekretet për futbollistët dhe me prezencën e saj çdo herë, edhe kur kemi qenë mirë, edhe kur kemi qenë keq” – ka thënë Ademi.
Ndërkohë, kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, u shpreh krenar për përfaqësimin e vendit dhe falënderoi institucionet dhe tifozët për mbështetjen. Ai pranoi se humbja ishte një goditje e rëndë për skuadrën, por theksoi se ekipi ka potencial të madh dhe një të ardhme të ndritur.
“Fillimisht ju falënderoj për mikpritjen dhe që na nderuat me këtë medalje. Ne e kemi ditë edhe para ndeshjes sa është dëshira e madhe për gjithë popullin dhe gjithë shqiptarët anembanë botës. Edhe të them të drejtën, nuk kemi besuar se do të humbim. As biletën kthyese nuk e kam. Ka qenë një goditje e madhe për neve, edhe pse mendoj se nuk e merituam humbjen. Kemi luftuar shumë dhe kemi bërë çmos që ta bëjmë ëndrrën realitet. Në emër të ekipit, ju falënderoj nga zemra juve si Presidente, shtetin e Kosovës, popullin tonë, mediat dhe federatën” – deklaroi Muriqi.
Ceremonia e dekorimit vjen si një vlerësim për paraqitjet dhe përkushtimin e Kombëtares së Kosovës, e cila ishte shumë pranë një kualifikimi historik, duke lënë gjurmë të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të futbollit.




