Vetëm pak javë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për platformën mediale Albinfo.ch tha se bashkatdhetarët tanë në diasporë që vijnë këtë vit në pushime gjatë vitit 2022, nuk do të kenë nevojë të paguajnë në kufi, pasi shpenzimet e policave do t’i heqë Qeveria e Kosovës.
Ky premtim nuk është duke u realizuar sipas mërgimtarëve, sepse në çdo hyrje ata po paguajnë policën e sigurimit
U.Avdyli, nga shteti i Gjermanisë tregon për albinfo.ch se në javën e kaluar shkoi në Kosovë dhe ishte i obliguar të paguante policën e sigurimit në hyrje.
“Po, unë pagova policën e sigurimit, në fakt më erdhi habi, jo për pagesën, por për atë që është premtuar. Jam i sigurt që çdo shqiptarë që jeton në shtetet e Evropës është i gatshëm për të paguar atë faturë, mirëpo të bëhet show në media se edhe vitin 2022 nuk do të paguhet dhe në realitet e kundërta, është e dhimbshme, për mua të paktën si shqiptar i Kosovës që jetoj në Gjermani”, shprehet ai.
Ndërkohë që Kurti pati deklaruar se “Edhe sivjet (2022) nuk do të ketë nevojë për ato pagesa në kufi, meqenëse derisa të bëhemi anëtarë të Kartonit të gjelbër, Kosova do ti mbuloj shpenzimet”, ky vendim i tij nuk po zbatohet nga pikat e hyrjeve të Kosovës.
Të njëjtën përvoj e kishte dhe mërgimtari nga Zvicra, B.Dalipi i cili me një ekip prej nëntë motoristëve, ishin të obliguar të paguanin policën e sigurimit.
“Ne ishim 9-të motoristë, 5 shqiptarë që jetojmë në Zvicër dhe katër të huaj me origjinë gjermane e portugeze që jetojnë dhe kanë bizneset e tyre në Afrikën e Jugut. Ata po vinin për herë të parë në Shqipëri dhe në Kosovë. Pasi kishim kaluar disa ditë fantastike në Shqipëri, po i dërgonim miqtë në Kosovë me datë 21.06.22. Në pikën doganore në Morinë, policia e Kosovës ishte korrekte dhe profesionale. Madje ata me të kuptuar që jemi disa shqiptarë të Kosovës me musafire nga Afrika e Jugut na lejuan të kalojmë me procedurë të shpejtë, njejtë si në vendet perëndimore dhe jo siç tashmë jemi mësuar në çdo vend të ballkanit të presim verifikimin e dokumenteve të udhëtimit dhe të automjetit. Por na kërkuan të marrin polisen e sigurimit për motorët”.
Tutje, mërgimtari Dalipi tregoi se pak para pagesës së polisës së sigurimit, me mburrje u thanë mysafirëve portugez e gjermanë se duke qenë se Kosova nuk është e pranuar në Zyrën e sigurimit ndërkombëtar të sigurimeve për automjete, Qeveria e Kosovës e ka marrë përsipër pagesen e tyre.
“Mysafirëve ne u thamë që Kosova nuk është e pranuar në Zyrën e sigurimit ndërkombëtar të sigurimeve për automjete dhe duhet të marrim një polis të sigurimit, mirëpo nuk duhet të paguajnë, sepse këtë e ka marrë përsipër Qeveria -u thoshim ne me mburrje. Por u zhgënjyem dhe u ndjemë keq para tyre, sepse na detyruan të paguajmë secili polisen e sigurimit. Kjo për ne krijoi një paqartësi dhe disi ishte konfuze sepse pak ditë më parë kishim lexuar në albinfo.ch deklaratën e kryeministrit Kurti që mërgimtarët këtë vit nuk do të pagujnë. Tani kjo o është mashtrim i zyrave të sigurimit, o është mashtrim i Qeverise!?”
Përkundër pagesës, Dalipi tregon se ata e paguan me shumë qejf sepse dëshira për të ardhë në Kosovë është shumëfishë më e madhe se sa një pagesë e polisës së sigurimit, por premtimet e tilla dhe të parealizushme janë për keqardhje.
“Shuma që ne paguajmë nuk është shqetësuese, por mënyra si luajnë me mërgatën është e ulët dhe për keqardhje. Kam informacione që ka sigurime në Zvicër që janë të gatshme të lidhin marrëveshje memorandumi me Kosovën, njejtë si marrëveshjet që ka Kosova me Shqipërinë e vendet e tjera fqinje për polisat e sigurimit. Mirëpo kjo si duket nuk është në agjendën e Qeverisë së Kosovës”, u shpreh mërgimtari nga Zvicra.
Gjithashtu edhe N.Zekolli, mërgimtare nga shteti i Francës tregoi se ishte e habitur kur i’u kërkua pagesa për polisën e sigurimit.
“Unë në fakt, nuk reagova dhe nuk pyeta se pse duhet ta paguaj këtë?!, sepse nuk isha e sigurt se ka qenë premtimi edhe në këtë vit për mos-pagesën e polisës. Me të ardhur në shtëpi isha shumë kureshtare të informohem për këtë gjë dhe e pash se pagesa nga Qeveria është edhe për vitin 2022. Ne kemi të holla për ta bërë edhe atë pagesë, nuk është problem, por u dëshprova pak me fjalët e mëdha që po jpen e shumë pak të zbatuara në realitet”, tregon zonja Zokolli. /Albinfo.ch