Qeveria e Kosovës ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përmes këtij ligji synohet rritja e besimit yë qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.
“Përfaqëson hap vendimtar në sundimit e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë. Ai krijon mekanizëm efektiv për të hetuar dhe konfiskuar pasurinë që nuk mund të arsyetohen me burime të ligjshme, duke synuar drejtpërdrejt ata që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve. Ky ligj nuk është vetëm mjet ndëshkues, por edhe mjet në kthimin e besimit te publikun në drejtësi dhe institucionet shtetërore”, tha Kurti, raporton teve1.info
Ai tha se zbatimi i këtij ligji është prioritet për Qeverinë.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla, tha ligji është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo tha zbatimi i këtij ligji është një ndër shtylla kryesore të reformës në sistemin e Drejtësisë
“Ky ligj ka një objektiv të qartë, të krijojë një mekanizëm funksional në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publik. Ky ligj e jep një mesazh të qartë,mandati publik nuk është për pasurim personal, por është përgjegjësi që duhet kryer në bazë të dispozitave ligjore. Për qytetarët ky ligj do të thotë më shumë barazi, drejtësi e besim në institucionet shtetërore”, tha Gërvalla.







