Shkoi për ta parë ekspozitën e vendosur në sheshin “Nënë Tereza”.
Por ajo çfarë pa aty e revoltoi atë.
I mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës u shpreh i indinjuar me atë se çfarë ishte shkruar në tabelë.
Nait Hasani thotë se aty kishte shumë të pavërteta.
“Aty e sheh që thotë ‘kanë qenë 48 shqiptarë të burgosur të armatosur’ dhe ‘50 e sa civilë’ aty. Ne kemi qenë të burgosur, as s’kemi qenë të armatosur, as s’kemi pasë asgjë në dorë tona…Kjo vepër, për mua, është një vepër penale”, deklaroi ish i burgosuri.
Si ish i burgosur, ai thotë se termi “të burgosur të armatosur” është fyes për ta.
“Po me pas qenë ne të armatosur ku kish pas trimëri ose trim serb me hy mbrenda, gardiana, policë, ushtarë me na vra neve. Po neve na kanë vra se kemi qenë duarlidhur, na kanë rënditur në fushë kanë gjuajtur me të gjitha armët. Kanë gjuajtur gardianët, kanë gjuajtur policët, kanë gjuajtur ushtarët, kanë gjuajtur të burgosurit serbë. Kjo është e tmershme. E t’i tash ta prezantosh neve si të armatosur. Ta justifikosh Serbinë për krimin që e ka bërë, ta amnistosh Serbinë. Për neve nuk ka vrasje tjetër”, deklaroi Hasani.
Andaj, për të, një kërkim falje nuk mjafton.
“Dëmi është i jashtëzakonshëm. Dëmi shpirtëror, dëmi moral, dëmi historik, dëmi i vlerave të krijuara me mund, me gjak, me sakrificë të njerëzve tanë. Keqpërdorimi dhe shpërdorimi i tyre, prandaj aty duhet ta marr përgjegjësinë dikush, jo përveç faljes”.
Gabime po vlerësohet se janë bërë edhe në numrin e të vrarëve.
“…nuk përmendet aty pengu kryesor në Burgun e Dubravës, siç është Ukshin Hoti. Prej 900 e rreth 80 të burgosurve që kanë qenë aty, 116 janë të vrarë në pozicione të ndryshme, por rreth 400 e disa sosh janë të plagosur. E këtë element nuk e përmendi ai zotëria që e ka ekspozuar”, thotë kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politik, Shefik Sadiku.
Andaj po kërkohet që propaganda të tilla të ndërprehen.
“Atje ku ka pasaktësi, njerëzit të cilët bëjnë propagandë të llogarisë së politikës së Millosheviqit dhe të Vuçiqit, duhet me ndërmarrë masa edhe me e ndërprerë atë propagandë të cilën e bëjnë. Kushdo qoftë, respekt për përpjekjet e tyre për ta realizuar një projekt, por e turpshme dhe e dhimbshme është kjo që kanë bërë këtë”, deklaroi Sadiku.
Komuna e Prishtinës veçse e ka hequr ekspozitën, ndërsa në opinion u kërkua llogari edhe nga Kuvendi pasi e financoi atë.
Për këtë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur në atë kohë dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi.
Derisa tha se verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të Kryesisë.
Reagime për këtë çështje pati edhe PDK e LDK të cilët e quajtën skandaloze dhe të papranueshme përmbajtjen e kësaj ekspozite.






