Gjatë seancës gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, i akuzuari Kushtrim Kokalla ka dhënë versionin e tij për ngjarjet dhe marrëdhëniet me të akuzuarit e tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën.
Kokalla ka deklaruar se ishte i vetëdijshëm për konfliktet mes Naim Murselit dhe gruas së tij, por mohoi çdo përfshirje në ngjarjen kriminale. Ai tha se tensionet mes çiftit ishin të njohura jo vetëm për të, por edhe për familjet respektive, duke përfshirë çështje pune dhe xhelozi.
“Unë kam qenë në dijeni që ata kanë pasur probleme, por nuk kam qenë i vetmi që ka qenë në dijeni. E ka ditur edhe familja Ademaj“Të gjithë e dinin për këto probleme, të mëdhenj e të vegjël,.”
Ai gjithashtu tregoi për takimin me Naimin gjatë ditës kritike:
“Ditën kritike jam takuar me Naimin, kam qenë duke e rregulluar automjetin tim në Gjakovë, dhe Naimi ka ardhur atje për t’u takuar me mua. Ai ka folur për problemet që ka pasur me të ndjerën. Policia nuk i ka futur në prova ato që i kanë deklaruar, por vetëm ato që ishin në favor të tyre, jo të tij. Atë ditë në takim kam qëndruar 10 minuta, jo më shumë, sepse isha i zënë me punët e mia. Edhe atë ditë Naimi ka thënë se po e thërret Granitin dhe po takohet me të.”
Ai mohoi gjithashtu se kishte pasur kontakte të veçanta me Naimin ose Granitin gjatë ditës kritike, përveç një mesazhi të shkurtër për numrin e kontaktit të Granitit. Kokalla tha se nuk kishte njohuri për Tom Dodaj dhe nuk ishte në dijeni për takimet mes Naimit dhe Granitit deri në seancën e gjykatës.
Në lidhje me takimet me Granit Plavën, Kokalla tha se ato kishin qenë vetëm për biseda të zakonshme dhe se nuk kishte ndërmjetësuar asnjë marrëveshje për kryerjen e vrasjes. Takimi i parë kishte ndodhur në Shell, ku Naimi e kishte shoqëruar për t’u takuar me Granitin, dhe kishte zgjatur rreth 5-10 minuta. Takimi i dytë kishte ndodhur 4-5 ditë më vonë në Benita, ku sipas Kokallës Naimi i kishte dhënë 300 euro për pagesën e një kredie dhe 500 euro ishin dhënë Granitit.
Ai tha se gjatë intervistimit në polici ishin prezent 4-5 hetues, të cilët njëri bënte pyetje, tjetri shkruante, dhe të gjithë merrnin pjesë aktivisht. Kokalla e përjetoi situatën si të habitshme dhe përsëriti se nuk kishte pasur lidhje me planifikimin e vrasjes.








