Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka reaguar përmes një komunikate për media, duke kundërshtuar vendimin e Presidentes për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas DnV-së, një veprim i tillë po e zvarrit procesin e kompletimit të KQZ-së në një periudhë kur funksionimi i plotë i këtij institucioni është thelbësor për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore.
Në reagim theksohet se përbërja e KQZ-së është e përcaktuar qartë nga Kushtetuta dhe ligji, përmes një modeli strikt përfaqësimi që bazohet në balancën mes grupeve parlamentare me të drejtë propozimi, dhe jo në peshën numerike të subjekteve politike apo rezultatet zgjedhore.
“Kjo qasje është reflektuar në mënyrë të qëndrueshme edhe në praktikë dhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Në raste të mëhershme, përfshirë periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2021, përbërja e KQZ-së është përcaktuar mbi bazën e modelit strikt, duke kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor. Kjo praktikë përbën një standard – në harmoni edhe me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias – të vendosur që ka garantuar funksionimin e balancuar të institucionit”, thuhet tutje nga DnV.
Tutje, organizata vlerëson se dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese nuk sjell qartësi shtesë, por përkundrazi krijon vonesa të panevojshme në një proces që kërkon vendimmarrje të shpejtë.
“Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj”, konsideron NnV, e cila gjithashtu bën thirrje që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet e vendosura në praktikë, në mënyrë që të ruhet funksionaliteti dhe besueshmëria e këtij institucioni./teve1.info/







