Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se shtëpia e poetit dhe veprimtarit Latif Berisha i cila gjendet në veri të Mitrovicës do të bëhet muze.
Ai këtë e ka bërë të ditur në 27 vjetorin e vrasje së Berishës në oborrin e shtëpisë së tij nga forcat serbe.
“Sot, 27 vite më vonë, shtëpia e tij në veriun e Mitrovicës destinohet për muze, në nderim të jetës, veprës dhe qëndresës së tij, si dhe të gjithë qytetarëve të kësaj zone, të cilët edhe vite pas luftës u vranë në shtëpitë dhe vendet e tyre. Profesor Latif Berisha ishte një figurë e rëndësishme e arsimit, kulturës dhe rezistencës kombëtare, i cili me punën dhe veprën e tij la gjurmë të pashlyeshme në jetën intelektuale shqiptare. Për dekada me radhë i shërbeu arsimit dhe letërsisë shqipe si profesor universitar, studiues dhe autor tekstesh shkollore, duke edukuar breza të tërë dhe duke kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar në kohë të vështira. Edhe pas largimit të dhunshëm nga puna në vitet ’90, ai vazhdoi të mbetet në shërbim të arsimit dhe çështjes kombëtare. Po ashtu, profesor Latif Berisha ishte edhe kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë”, ka shkruar Kurti në Facebook.








