Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë bombardimet e NATO-s erdhën si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë të gjenocidit nga forcat serbe, kundër popullatës civile në Kosovë.
Ajo ka thënë se ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u bënë një çast përcaktues për Kosovën.
“Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë. Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën”, ka shkruar Haxhiu në kujtim të 24 marsit të vitit 1999, kur NATO nisi bombardimet ndaj ceceve të ushtrisë serbe.
Haxhiu ka shprehur nderime për rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës.
“Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira”, ka shkruar Haxhiu./teve1.info/








