Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Luksemburgu në Kosovë, Eric Dietz, me të cilin ka diskutuar për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, bashkëpunimi i deritanishëm u vlerësua si shumë i suksesshëm, ndërsa u theksua nevoja për zgjerimin e tij në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Po ashtu, u mirëprit vazhdimi i mbështetjes financiare nga Luksemburgu përmes një kornize bashkëpunimi prej 50 milionë eurosh për periudhën 2026–2030.
Kryeministri Kurti vlerësoi lartë rezultatet konkrete të këtij partneriteti, duke e cilësuar Luksemburgun si një aleat të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
“Vlerësojmë shtetin e Luksemburgut si partner kyç në inovacion, transformim digjital, zhvillim të aftësive dhe tranzicion të gjelbër,” është shprehur Kurti.
Në takim u diskutua gjithashtu për rëndësinë e avancimit të reformave në drejtësi dhe arsim, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në sektorin e shëndetësisë.
Sipas njoftimit zyrtar, ky partneritet po jep ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke kontribuar veçanërisht në fuqizimin e të rinjve dhe mbështetjen e bizneseve.
“Ky bashkëpunim po ndihmon në forcimin e arsimit profesional, mbështetjen e start-up-eve dhe avancimin drejt një ekonomie më të qëndrueshme,” thuhet në komunikatë.







