Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve të naftës ka shtuar presionin mbi ekonominë e Kosovës. Për zgjidhjen e këtij problemi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, kanë kërkuar ndërhyrje të mënjëhershme nga Qeveria e Kosovës përmes masave që synojnë uljen e çmimeve të derivateve të naftës dhe në të njëjtën kohë lehtësimin e barrës për qytetarët.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha për KosovaPress, se pas analizave të kryera, institucioni që ai përfaqëson ka propozuar dy masa konkrete që do të ndikonin në uljen e çmimeve të derivateve të naftës.
“Duke pas parasysh trendin që po ndodh në shtetet e Bashkimit Evropian, çmimi i rritjes së derivateve të naftës, po edhe rrethanat e luftës gjeopolitike, kemi propozuar që Qeveria e Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë dy masa fiskale. E para që ta ulë normën e tatimit të akcizës për derivatet e naftës dhe e dyta ta largojë plotësisht për një periudhë të caktuar, përkohësisht…. …Dihet që tatimi i vlerës së shtuar është tatim i konsumatorit, nuk është tatim i kompanisë, kështu që çdo ulje e tatimit të vlerës së shtuar apo largim i përkohshëm, do të nënkuptonte ulje e çmimit të derivateve të naftës dhe një lehtësim më i madh për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Rafuna
Sipas analizave të Odës Ekonomike, nëse këto masa zbatohen plotësisht, çmimi i naftës mund të ulet deri në 30-40 për qind.
“Varet tani se cila sa do të jetë përqindja e uljes, sa për sa për qind do të ulet norma e tatimit të akcizës, po ashtu varet sa do të hiqet tatimi i vlerës së shtuar nga derivatet e naftës apo do të ulet tatimi i vlerës së shtuar. Mirëpo sipas analizës sonë, kjo do të ndikonte rreth 30% deri 40% që çmimi i naftës të ulet, prapë në supozimin se do të largohet tërësisht tatimi i normës së akcizës apo edhe tatimi i vlerës së shtuar”, tha ai
Rafuna paralajmëroi se në mungesë të veprimeve konkrete, pritet që çmimet të vazhdojnë të rriten duke marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe bllokimin e rrugëve kryesore të furnizimit me naftë.
“Trendi është duke u rritur, shumë vende tash kjo nuk është një risi veç për Kosovën ose nuk është një kërkesë që vetëm Kosova duhet ta adaptojë, kanë filluar shumë vende të Bashkimit Evropian për me i ndërmarrë këtë masë. Kemi edhe shumë vende të Bashkimit Evropian që kanë filluar edhe me masa kufizuese të tjera me i vendos. Kështu që duhet një ndërhyrje urgjente e menjëhershme nga Qeveria e Republikës së Kosovës që ta stabilizojë tregun dhe t’i ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos u ulet standardi jetësor dhe mos ta ndiejnë këtë rritje të inflacionit apo këtë krizë e cila është duke na ndodhë tani. Pritjet janë që do të shkojnë duke u rritur çmimet, sipas trendit që jemi duke e pa dhe sipas analizave që jemi duke i bërë. Mirëpo sa do të zgjasë kjo periudhë nuk dihet për momentin. Për këtë arsye ne kemi propozuar që të kemi masa të përkohshme për aq sa ka nevojë derisa të stabilizohet gjendja”, u shpreh Rafuna.
Nga ana tjetër, edhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Skënder Krasniqi ka bërë thirrje për veprim të shpejtë, pasi sipas tij, është një nevojë emergjente.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar dhe kërkon që me urgjencë Qeveria e Kosovës të ulë taksën dhe akcizën në naftë, siç janë duke vepruar shumë vende të tjera dhe rasti i fundit edhe Italia, në mënyrë që të kemi një ulje të çmimit i cili është duke e ngarkuar jashtëzakonisht biznesin dhe qytetarin në blerje dhe njëkohësisht është duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të konsumit si rezultat i rritjes së çmimeve të naftës dhe transportit të saj. Kjo është një nevojë emergjente në një afat së paku tremujor, në mënyrë që të kemi një stabilitet sepse situatat me të cilat është duke u ndodhë në Iran dhe në gjithë botën mund të ndikojë edhe që të kemi rritje edhe më të madhe të çmimeve sesa kemi aktualisht”, tha Krasniqi.
Përndryshe, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila para dy ditësh për KosovaPress, tha se pritet një stabilizim i çmimeve në muajt në vijim, veçanërisht gjatë verës, duke sqaruar se çmimi i naftës përcaktohet mbi bazën e çmimit të importit të një dite më parë.
Ajo theksoi se importuesit me shumicë mund të rrisin çmimin vetëm deri në 2 cent për litër, ndërsa në shitje me pakicë shtohen edhe 12 cent. Si shembull, ajo përmendi se nëse nafta importohet me 1.50 euro për litër, ajo mund të shitet me shumicë deri në 1.52 euro dhe me pakicë deri në 1.64 euro.
Si pasojë e luftës mes SHBA-së e Izraelit me Iranin, edhe çmimet e karburantëve janë shtrenjtuar në rreth 1.50 euro nafta, dhe 1.30 benzina.








