Klubi i Hendbollit Istogu, një nga emrat më të suksesshëm në sportin kosovar dhe përfaqësues i rregullt në garat evropiane, po përballet me krizën më të thellë në historinë e tij, duke rrezikuar përjashtimin nga Superliga dhe madje edhe shuarjen e plotë.
Shkaku kryesor është një problem infrastrukturor që zvarritet prej dy dekadash: mungesa e një palestre funksionale të sporteve në komunën e Istogut. Situata kulmoi së fundmi kur klubi u detyrua ta humbasë ndeshjen kundër Prishtinës me rezultat zyrtar, pasi nuk kishte ku të stërvitej dhe të luante.
Në një intervistë për KosovaPress, trajneri i KH Istogut, Faruk Shala, shpjegoi se problemet u përshkallëzuan kur palestra private që shfrytëzonin u mbyll, duke e lënë ekipin pa asnjë hapësirë stërvitore.
Sipas rregulloreve të garave, nëse klubi humbet edhe një ndeshje tjetër me rezultat zyrtar, ai automatikisht përjashtohet nga kampionati dhe kjo rrjedhimisht do ta qonte klubin drejt shuarjes.

“Normalisht, nëse nuk marrim pjesë në gara, unë nuk e di si ta quaj ndryshe vetëm shuarje, sepse përderisa nuk merr pjesë në gara, në një formë shndërrohesh në një klub inekzistent. Megjithatë, ne po mundohemi me forca krejt tonat, sepse nuk kemi asnjë lloj përkrahje nga asnjë institucion”, bën të ditur Shala.
Zemra e problemit është palestra e sporteve të qytetit, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 2006 dhe ende nuk ka përfunduar. Shala e përshkroi gjendjen e saj aktuale si tronditëse, duke e krahasuar pamjen e saj me pamjen e ndonjë objekti që mund të jetë bombarduar nga lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
“Ajo më së shumti i ngjan disa objekteve që unë i shoh nëpër televizione ose në rrjetet sociale kur ato raketat e Rusisë e sulmojnë Ukrainën edhe bëjnë shumë dëme aty. Domethënë, pamja aktuale e gjendjes si është brenda është pikërisht si një bombardim i një objekti në Ukrainë atje që ka ndodhur se nuk të jep tjetër mesazh”, thekson Shala.
Për këtë situatë alarmante, Shala drejtoi akuza të drejtpërdrejta ndaj dy institucioneve, të cilat i cilësoi si fajtorët kryesorë: Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Istogut. Sipas tij, asnjëra palë nuk e ka trajtuar këtë çështje si prioritet, duke e lënë klubin dhe sportistët në harresë.
“E gjithë kjo e ka rënduar gjendjen e klubit të hendbollit të Istogut dhe ka e sjellë në pozitë që një prej klubeve më të suksesshme në Kosovë me të shuhet për shkak të mospërkrahjes financiare dhe mos krijimit të kushteve minimale për punë”, bën të ditur Shala.
Për të mësuar nëse Komuna e Istogut ka ndonjë plan për ta ndihmuar klubin në këtë situatë, KosovaPress, ka kontaktuar kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati, i cili ka thënë se janë duke bërë përpjekje për një takim me ministrin e ri të Ministrisë për Rini dhe Sport, Blerim Gashani për të kërkuar një intervenim urgjent.

“E ndiej një obligim edhe personal, përpos obligimit si kryetar që e kam ndaj klubit, është kërkesa që ia kemi drejtuar para dy viteve Ministrisë së Sportit në kohën sa ka qenë Hajrulla Çeku ministër, për të na ndihmuar me një memorandum mirëkuptimi për të na futur në programin e Ministrisë prej 900,000 eurosh për ta finalizuar rehabilitimin e brendshëm. Të njëjtën kërkesë e kemi drejtuar te ministri i Sportit, zoti Gashani. Të njëjtën kohë, dje, përmes kabinetit tim kam kërkuar takim zyrtar me zotin Gashani për ta njoftuar për problemin”, tha Ferati për KosovaPress.
Ndërsa, nga Federata e Hendbollit të Kosovës i kanë thënë KosovaPressit se nga të gjitha palët janë duke u bërë përpjekje maksimale që Istogu ta zhvillojë ndeshjen e radhës në kampionat kundër Besës sepse në të kundërtën klubi do të përjashtohet nga garat.











