Të enjten iu drejtuan Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
E me vete, e sollën edhe këtë pankartë.
Në këtë formë, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, e kundërshtoi mënyrën se si po trajtohet rasti i avancimit akademik të profesoreshës në Fakultetin e Edukimit, Fatlume Berisha.
Sipas tyre, kjo e fundit, nuk i plotëson kriteret minimale për të qenë profesoreshe e rregullt.
“Në mbledhjen e Senatit të 17 dhjetorit 2025, Trupa Këshillëdhënëse e Rektorit nuk e rekomandoi kandidaten për avancim për shkak se ajo nuk i përmbushte kriteret minimale të punimeve shkencore. Njëri nga punimet ku Fatlume Berisha është autore korrespondente është botuar në revistën European Journal of Educational Research që figuron në listën e Jeffrey Beall për revista dhe botues të dyshimtë”,u shpreh Dibran Hoxha.
Sipas Hoxhës, procesi u bë më problematik kur për rishqyrtimin e revistës u formua një komision, ku anëtare ishte edhe Vula autore e punimit në fjalë.
“Në këtë përpjekje u vu në funksion një komision i Fakultetit të Edukimit për kinse “rishqyrtimin e kredibilitetit të revistës”, ku anëtare e komisionit ishte pikërisht Vula, autore e parë e këtij punimi që po tentohet të përdoret, pra konflikt i pastër i interesit. Vula, e cila është edhe senatore nga Fakulteti i Edukimit, ka avokuar fuqishëm që revista të pranohet si e vlefshme për avancim. Përmes këtij mekanizmi u prodhua një përfundim i parashikueshëm se revista qenka kredibile, ndërsa rasti u rikthye sërish në Senat për shqyrtim”, tha ai.
Ai shton së ky rast po zvarritet.
“Ne mbledhjen e 20 shkurtit rektori propozoi një komision te ri te posaçëm për rishqyrtimin e rastit, jashtë praktikes normale procedurale dhe duke minuar mandatin e vet trupës Këshilluese te tij. Per ORCA kjo është një ndërhyrje e pajustifikueshme ne një proces qe tashme ka kaluar filtrin profesional dhe institucional”, tha Hoxha.
Sipas ORCA-s punimet e botuara në revista të listuara si të dyshimta nuk mund të përdoren për avancim akademik.
Ndryshe, Tëvë1 ka provuar ta kontaktoj edhe profesoreshën Fatlume Berisha.
Por e njëjta nuk i është përgjigjur thirrjeve të televizionit.





