Në prag të zgjedhjeve lokale në disa komuna të Serbisë, janë ngritur akuza për presion dhe përpjekje për ndikim mbi votuesit nga përfaqësues të pushtetit.
Sipas Gjokiq, Partia Përparimtare Serbe (SNS) po ofron përfitime të ndryshme për qytetarët në përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Ai ka deklaruar se qytetarëve u ofrohen shërbime dhe ndihma të ndryshme, duke filluar nga çështje shëndetësore e deri te pajisje shtëpiake apo bujqësore.
“Që nga përshpejtimi i një operacioni, deri te frigoriferë, shporeta, traktorë apo edhe pesë minuta famë. Dje pamë Dragan J. Vuçiçeviq, Dragoslav Bokan dhe Dragan Babiq duke biseduar me njerëzit. Është një përpjekje e tmerrshme e regjimit që në këtë fazë të bëjë gjithçka që mundet për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai për mediumin N1.
Gjokiq ka theksuar se, pavarësisht këtyre përpjekjeve, qytetarët në disa komuna janë të gatshëm t’i kundërshtojnë praktikat që, sipas tij, synojnë të ndikojnë në procesin zgjedhor.
“Njerëzit nga Bajina Bashta, me biografi që kanë peshë, janë të gatshëm t’i dalin përballë kësaj të keqeje. SNS ka vetëm ministra, premtime dhe vite gënjeshtrash pas vetes dhe mendoj se kjo është e qartë për qytetarët”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se përpjekjet për të ndikuar te votuesit po intensifikohen me afrimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa opozita dhe aktivistët civilë po bëjnë thirrje për një proces zgjedhor të drejtë dhe transparent.
Ndërkohë, studentët që ndodhen në bllokadë kanë paralajmëruar organizimin e tubimeve në disa qytete të Serbisë për të shprehur pakënaqësinë e tyre dhe për të kërkuar zgjedhje të lira.
Sipas njoftimit të tyre, tubimet do të organizohen të shtunën, më 14 mars, nga ora 16:00 deri në 19:00, në disa qytete ku në fund të marsit pritet të mbahen zgjedhjet lokale.
Një nga qytetet ku do të zhvillohen këto tubime është edhe Bajina Bashta, ku pritet pjesëmarrje e qytetarëve dhe aktivistëve që kërkojnë transparencë dhe respektim të standardeve demokratike gjatë procesit zgjedhor.







