Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, ka komentuar masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Bajrami tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ishte i nevojshëm, duke e cilësuar veprimin e presidentes si të ngutshëm.
“Masa që është marrë nga Gjykata Kushtetuese është më se e nevojshme, për shkak se veprimi që është marrë nga presidentja në shkuarje ka qenë i ngutshëm. Madje jam habitur se si është vendosur që t’i ndërpritet puna edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Bajrami.
Ai shtoi se, sipas tij, në vendimin e Gjykatës do të duhej të theksohej vetëm se Kuvendi nuk mund të merret me procedurën e zgjedhjes së presidentit, por jo të ndaleshin edhe aktivitetet e tjera të institucionit.
“Sipas meje, në atë vendim është dashur të theksohet se Kuvendi nuk ka të drejtë të merret me procedurën e zgjedhjes së presidentit, ndërsa veprimet e tjera që janë në fushëveprimin e deputetëve nuk është dashur të preken”, u shpreh ai.
Bajrami theksoi se Kuvendi, si institucion me legjitimitet të drejtpërdrejtë nga qytetarët, duhet të vazhdojë punën dhe të mos bllokohet për një periudhë të gjatë në pritje të një vendimi.
“Ka shumë çështje për të cilat Kuvendi duhet të vazhdojë të punojë. Një institucion që ka marrë legjitimitet nga populli nuk duhet të bllokohet për 20 ditë në pritje të një vendimi që lidhet me një dekret të mundshëm”, ka thënë Bajrami.
Megjithatë, ai theksoi se masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese është e pritshme dhe e nevojshme, por sipas tij pjesa që ndalon edhe veprimtarinë e Kuvendit mund të konsiderohet si një masë më radikale.
“Pa diskutim që masa është e pritshme dhe e nevojshme, por pjesa ku thuhet se edhe Kuvendit i ndalohet veprimi është paksa më radikale dhe të jep ndjesinë se është synuar një lloj baraspeshimi mes dy palëve”, ka deklaruar Bajrami.




