Numri i nxënësve nëpër shkollat në vend është duke rënë.
Nga viti 2022 e deri në vitin 2026, shkollat në Kosovë kanë 39 mijë nxënës më pak.
Kështu bëjnë të ditur të dhënat nga Qendra për Arsim e Kosovës.
Kësisoj kjo rënie ka ndikuar që të ketë më shumë mësimdhënës të punësuar.
“Aty hynë edhe stafi administrativ edhe stafi teknik për momentin janë mbi 29 mijë mësimdhënës po të aplikohet formula e financimit në mënyrë strikte do të ishin vetëm 26 mijë mësimdhënës që është një tepricë prej 3 mijë, por nuk aplikohet ajo formulë. E kjo është problem për komunat pasi duhet një pjesë për paga ta sigurojnë nga burimet e veta”, deklaroi ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.
Ish zëvendësministri thotë se duhet të ndërmerren disa masa që këtij numri të mësimdhënësve t’u mos shkëputet kontrata.
“Aty duhet shfrytëzuar mundësinë kur mësimdhënësit pensionohen për shembull, të bëhet bashkimi i klasave, tjetra është që një numër i shkollave të vogla të integrohen në shkolla më të mëdha. Tjetra mundësi është që mësimdhënësve t’u jepen role shtesë brenda shkollës. Pra të fillohen të paguhen orët e kujdestarisë gjë që nuk paguhet, pastaj mund të kenë role tjera si këshilltar karriere të paguhet puna në aktivitete e tjerë”.
Por nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit thonë se duhet të analizohet situata, në mënyrë që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë.
“Para se të veprohet në këtë aspekt, duhet pas dy momente kryesore, çfarë me nxënësit e mbetur në atë shkollë që pretendohet mbyllje e shkollës, dhe çfarë më mësimdhënësit e asaj shkolle. Ne si SBASHK angazhohemi shumë dhe jemi që asnjë mësimdhënës të mbetet pa punë mbase të veprohet si në Prishtinë ku mbahet mësimi tërëditor dhe një pjesë e mësimdhënësve që nuk kanë pasur normë janë angazhuar si mësimdhënës të aktiviteteve”, tha kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari.
Sipas Qendrës për Arsim, që nga viti 2009 aplikohet formula e financimit një mësimdhënës për 21.3 nxënës, mirëpo sipas statistikave duhet të jetë një mësimdhënës për 13 nxënës.
Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit në lidhje me numrin e mësimdhënësve të cilët janë tepricë, por nuk ka marrë përgjigje.






