Flamuri i UÇK-së valvitej mbi këtë shtëpi në Kopiliq të Epërm të Skenderajt.
Por kjo shtëpi nuk është thjesht një objekt.
Gjatë viteve 98-99, këtu funksionoi shtabi i togut të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u morën vendime të rëndësishme për luftën çlirimtare.
Këtë të shtunë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së vendosi një pllakë përkujtimore për të shënuar historinë që mbajnë këto mure.
Se kjo shtëpi ka qenë vend i vendimeve të rëndësishme për luftën, e kujton edhe një nga luftëtarët e Brigadës 112 “Arben Haliti”.
“Në këtë odë janë marrë vendime shumë të rëndësishme jo vetëm gjatë luftës por edhe para përfundimit të luftës. Në këtë odë, pleqtë e këtij fshati kanë nda pleqëri, burrat e këtij fshati kanë majt si për gëzim ashtu edhe për idhnim. Kësaj ode, sot po i jepet një emër shumë i veçantë, një emblemë e UÇK. Prandaj familjes dhe gjithë bashkëatdhetarëve të mi i përgëzoj dhe uroj që ta mbajnë me nder këtë emblemë të UÇK-së”, tregoi luftëtari i brigadës 112 “Avni Ibrahimi”.
Aty i pranishëm ishte edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Ai tha se shënimi i këtyre vendeve është i rëndësishëm për brezat që vijnë.
“Është kënaqësi për neve që sot jemi edhe të vijmë për një rast të veçantë sepse e di që në Kosovë ka pas përpjekje të vazhdueshme për çlirimin e Kosovës, asnjëherë s’ka pas varreza të dëshmorëve, asnjëherë s’ka pas pllaka siç është sot kjo këtu, prandaj është shumë e rëndësishme për gjeneratat që vijnë që me ju tregu që nuk ka ndodh kurgjo rastësisht. Por gjithçka që ka ndodh këtu, ka ndodh falë përpjekjeve jo vetëm gjeneratës tonë por edhe gjeneratave të tjera”, tregoi Lushtaku.
Ndërkaq nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u tha se kjo pllakë është një dëshmi e historisë së luftës çlirimtare.
“Në Drenicë kanë pas një ushtri çlirimtare guerile të cilët kanë dalë në mbrojtje të atdheut, në mbrojtje të kombit. Kjo pllakë është pasuri e historisë kombëtare, pasuri e të kaluarës, ne vetëm po tregojmë që ka qenë një luftë e pabarabartë me forcat militare serbe në vitet 98-99. Dhe të tjerët që vinë pas neve, le ta dinë që në këtë shtëpi ka pasë një ushtri çlirimtare të Kosovës të cilët kanë nejt këtu, kanë punu këtu, edhe e kanë mbrojtë vendin e vet”, deklaroi kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni GUucati.
Disa fjalë i pati edhe deputetja Sala Jashari.
“Sot për këtë 7 mars po shënojmë zbulimin e një pllake përkujtimore në një shtëpie që mban shumë histori brenda mureve të saj, një histori të gjallë muret që kanë parë dhe kanë dëgjuar nga afër ankthin e luftës por edhe mënyrën se si idealet e mëdha krijojnë forcë dhe shpresë për lirinë e kombit”, deklaroi Jashari.
Në këtë pllakë theksohet se bëhet fjalë për strukturën Brigada 112 “Arben Haliti”, përkatësisht Bataljoni II, Kompania I, në kuadër të degës së OVL-UÇK-së në Skenderaj.






